Telegrafi

Dogana tregon detajet e operacionit në Merdare ku u kapën 29 kilogramë marihuanë (Video)

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme në pikë kalimin kufitar në Merdare, ka konfiskuar 29 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Me këtë rast policia ka arrestuar dy të dyshuar meshkuj, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar 96 paketime në të cilat kishin fshehur marihuanën.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një pornoncim për Telegrafin, ka thënë se deri tek konfiskimi i kësaj sasie të drogës ka arritur si rezultat i bashkëpunimit me Policinë e Kosovës.

“Në kuadër të menaxhimit të integruar, bashkëpunimin që kemi me Policinë e Kosovës mbrëmë kemi arritur te kapim rreth 25 kg substanca narkotike të cilat kanë qenë duke dalë prej pikës kufitare në Merdare në drejtim të Serbisë. Fillimisht policia ka targetuar këtë rast pastaj është ftuar Dogana e Kosovës që përmes njësive të specializuara të ushtroj një kontroll detale dhe kontrolla detale ka rezultuar se në atë veturë ka qenë e kamufluar mjaft mirë kjo sasi e narkotikëve”, ka thënë Stavileci.

Stavileci ka shtuar se Dogana duhet të falënderoj qeverinë e Shteteve të Bashkuara te Amerikës për pajisjet dhe trajnimet të cilat i ka afruar dhe kanë mundësuar deri te zbulimi i këtij rasti.

Ndryshe policia ka njoftuar se personave të dyshuar u janë konfiskuar edhe katër telefona si dhe vetura. Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajte. /Telegrafi/