Site icon Telegrafi

Dogana tejkalon parashikimet mbledh 950.4 milionë euro

Dogana e Kosovës në përmbledhjen preliminare të raportit për vitin 2015, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2015 ka arritur të mbledh 950.4 milionë euro. Ndërsa, për të gjitha regjimet e importit, taksat kanë shënuar ngritje në shumën prej 82.2 milionë euro, ose 9.62 për qind.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se nga viti 2009 nuk ka arritur të tejkalojë projeksionin, por vetëm ketë vit ka tejkaluar atë. “Vlen të theksohet se dy vitet e fundit fal reformës Dogana ka mbledhur mbi 110 milionë euro më shumë se periudha e kaluar”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Në vitin 2009, Dogana kishte arritur të mbledhë 635.1 milionë euro, apo 10 milionë euro më pak se sa projeksioni, ndërsa në vitin 2015 ka tejkaluar projeksionin (946 milionë euro që ishte), duke mbledhur 950.4 milionë euro.

Po ashtu, gjatë vitit 2015, Dogana ka proceduar 75 kallëzime penale në Prokurori të Shtetit, në vlerë të shmangieve prej 6 milionë euro. Ndërsa, vlera e mallrave të sekuestruara në fazën e hetimeve tejkalon 560 mijë euro.

“Gjithashtu kemi qenë të suksesshëm në konfiskimin e duhanit të përpunuar dhe të papërpunuar në sasi prej 19 tonë, si dhe 4 vija për përpunimin e duhanit. Janë zhvilluar operacionet kundër mashtrimeve me lojërat e fatit, ku janë sekuestruar rreth 100 aparate ilegale, ndërsa janë bërë kallëzimet penale në rastet ku është konstatuar shkelje penale. Gjatë këtij viti janë kapur në 18 raste të ndryshme mbi 20 kg lëndë narkotike”, thuhet në njoftimin e Doganave të Kosovës për media.

Ndërsa, në aspektin e ankesave Dogana gjatë vitit 2015 ka pranuar mbi 900 ankesa që paraqet ulje prej 10 për qind në krahasim me vitet e kaluara, ku në vitin 2014 ankesat tejkalonin numrin prej 1000.

Nga të dhënat e importi tregohet se në aspektin e peshës për periudhën raportuese 2014 – 2015, pesha neto e importit të mallrave ka shënuar rritje prej 289 milionë kilogram, apo 7.6 për qind më shumë. Derisa vitin paraprak kishte peshë importi prej 3.7 miliardë kilogram, në vitin 2015 ka afër 4 miliardë kilogram produkte të importuara. Kurse, vlera e mallrave të importuara ka rritje prej 3.8 për qind pra nga 2.4 miliardë euro në 2.5 miliardë euro.

Produktet të cilat janë importuar më së shumti kanë mbetur të njëjta, me përqindjen më të madhe të janë derivatet e naftës, duhani, automjetet, makineri të ndryshme, pijet e ndryshme alkoolike dhe jo-alkoolike, plastika etj. Derisa vendet nga të cilat importohet më së shumti janë, Serbia, Gjermania, Turqia, Kina, Italia etj.

Tek eksportet, gjatë këtij viti ka pasur eksport (EX1+EX3) në lartësi prej 390 milionë euro që krahasuar me vitin e kaluar është një rritje e ulët për 6 milionë euro pasi në 2014 kishte eksport me 384 milionë euro. Partnerët kryesor për eksportin e Kosovës janë, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, India dhe Italia. /Telegrafi/

Exit mobile version