Dogana e Kosovës njoftoi të martën se ka konfiskuar rreth 30 mijë euro në pikë-kalimin kufitar në Vermicë, mjete këto monetare të cilat ishin të padeklaruara.
Në njoftimin për media thuhet se në orët e mëngjesit, në këtë pikë-kalim kufitar është paraqitur automjeti me targa të Republikës së Shqipërisë i drejtuar nga një shtetas shqiptar.
“Automjeti është ndaluar për kontroll dhe në pyetjen se a keni diçka të deklaroni, vozitësi ka deklaruar se nuk posedon asgjë. Automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit së bashku me policin është bërë ekzaminimit fizik i automjetit”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare në vlerë prej 28 mijë e 650 euro të padeklaruara.
“Mjetet monetare ishin të vendosura në çantën e brezit si dhe në çantën e Lap Top-it të ndara në katër paketime. Rasti më tutje ka vazhduar për hetime, derisa është konfiskuar sasia e mjeteve monetare konform procedurave ligjore, respektivisht konform nenit 33.5 te KDAK-ës”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/