Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile të cilat monitorojnë procesin zgjedhor kanë deklaruar se pasdite janë vërejtur lëvizje të eksponentëve të subjekteve politike në lokacione të caktuara, përfshirë edhe kryeministrin e vendit, çka sipas tyre mund të interpretohet si ushtrim i ndikimit mbi vullnetin e votuesve.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim në një konferencë për media ka thënë se në këtë raund është vërejtur numër i madh i organizatave apo mediumeve të cilët kanë bërë matjen e dispononit të votuesve përmes administrimit të sondazheve.
“Në pjesën e pasdites janë vërejtur lëvizje të eksponentëve të subjekteve politike në lokacione të caktuara duke përfshirë edhe kryeministrin e vendit gjë që mund të interpretohet si ushtrim i ndikimit mbi vullnetin e votuesve, po ashtu është vërejtur një interesim i shtuar i mediumeve dhe organizatave të tjera për matjen e deponimit të votuesve përmes administrimit të sondazheve apo exit polleve në dalje të qendrave të votimit. Po ashtu nga ana e atyre të dhënave që kanë qarkulluar është raportuar për raste të kufizimit të së drejtave për vëzhgimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor brenda vendvotimeve që paraqet shkelje të legjislacionit zgjedhor”, ka thënë ai
Si fenomene më të shprehura në këto zgjedhje ai ka përmendur pamundësinë e votuesve për të gjetur emrin ën lista dhe votimin me asistencë.
“Pamundësia e votuesve për të gjetur emrin në listë të votuesve janë raportuar gati në gjysmën e vendvotimeve në nivel vendi, ndërsa votimi me asistencë përkatësisht votimi i lejuar me asistencë është raportuar në nëntë nga dhjetë vendvotime në nivel vendi me një shifër prej mbi 90%”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se ka rënie te rasteve të fotografimit të votës duke theksuar se vëzhguesit e DnV-së nuk kanë raportuar për asnjë të tillë.
DnV ka ftuar partitë politike që mos të shpallin fitoret në bazë të exitpoll-eve por të presin rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njofton Telegrafi.