Site icon Telegrafi

DnV: 165 vendvotime hapen me vonesë

Albert Krasniqi, përfaqësuesi i organizatës Demokracia në Veprim në një konferencë për media bëri të ditur se megjithëse ka pasur disa vonesa, nuk është identifikuar ndonjë incident serioz që mund ta dëmtonte procesin.

Hapja e vendvotimeve dhe materialet zgjedhore

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2490 vendvotime. Në bazë të raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, me vonesë janë hapur 165 vendvotime (VV).

Mungesa e materialeve sensitive janë regjistruar në 1.5% të VV-ve.

Materiali propagandues zgjedhor

Edhe pse sipas ligjit (LPZ, neni 85) materiali propagandues zgjedhor është dashur të largohet brenda dhe rreth Qendrave të Votimit në rreze prej 100 metrave, ato janë hasur në afërsi të 3.4% të QV-ve përkatësisht:

Në qendrën e votimit numër 1927E, (Shkolla Shkëndija” në Prishtinë është vërejtur material propagandistik në afërsi të shkollës, shkelja është paraqitur para PZAP-së nga DnV).

Qasja e personave me aftësi të kufizuar në votim

Është raportuar se 44.7% e vendvotimeve, nuk kanë siguruar qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Mbarëvajtja dhe siguria e procesit të votimit

Prania e personave të paautorizuar është vënë re në 68.3% të vendvotimeve.

Disa nga rastet në Qendra Votimi/Vendvotime:

2004A/05R (Shkolla ”Motrat Qiriazi”) në Prizren deri në ora 08:00 një person i pa autorizuar ka qëndruar në vendvotim. Pas kësaj ore është larguar.

1925E/02R (Shkolla “Meto Bajraktari”) në Prishtinë, një person i paautorizuar ka qëndruar në vendvotim. Personi i njëjtë është lejuar të qëndroj edhe më tutje me vendim të KKZ por vendimi nuk është prezantuar.

1918E/03R (Shkolla “Gjin Gazulli”) në Prishtinë, është raportuar për prani të militantëve nga dy koalicionet (përkatësisht: koalicioni LDK-AKR dhe nga koalicioni PDK-AAK-NISMA) të cilët janë prezantuar fillimisht si vëzhgues e më pastaj janë larguar nga qendra e votimit nga drejtoresha e shkollës.

2008R/02R (Shkolla “Luciano Matroni”) në Prizren, një personi i është lejuar të votoj edhe pse në gishtërinjtë e tij është vërejtur ngjyrë (sprej).

1922E/05R (Shkolla “Emin Duraku”) në Prishtinë, një përfaqësues i paautorizuar po  qëndron brenda në vendvotim pa akreditim.

Megjithatë, nuk është raportuar për ndonjë incident për të cilin ka pasur nevojë për ndërhyrje të policisë.

DnV do të vëzhgojë procesin zgjedhor gjatë gjithë ditës deri në përfundim të procesit të numërimit dhe rezultateve.

DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. DnV ju rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim. /Telegrafi/

Foto: Arkiv

Exit mobile version