Site icon Telegrafi

“Djali juaj më ka borxh 30 mijë euro”, 40-vjeçari i merr tapinë e shtëpisë dy të moshuarve në Tiranë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar së fundmi në Tiranë, ku një 40-vjeçar i ka vendosur “gjobë” dy personave të moshuar.

Një 76-vjeçare e cila jeton në afërsi të bllokut, pa nga syri magjik se personi i cili po i binte ziles tek shtëpia e saj nuk ishte i njohur për të. E moshuara njoftoi bashkëshortin që po qëndronte në kuzhinë për mikun e panjohur dhe pasi diskutuan pak çaste vendosën ta hapin derën.

“Personi ishte i moshës 40-45 vjeç, me sy bojëqielli. Tha që ishte T. dhe shkurt e shkoqur tha: djali juaj më detyrohet 30 mijë euro, i dua sot paratë.”

Dy të moshuarit që më vonë përfunduan në polici e cila nga ana e saj ka nisur hetimet për gjobëvënie, kanë shtangur dhe të çuditur kanë kërkuar shpjegime.

“Di të flas edhe ndryshe, borxhet janë borxhe. Keni afat deri nesër.”-ka thënë ndër të tjera i panjohuri, i cili sipas të moshuarve ishte i veshur shtrenjtë dhe pa hezituar ka bërë prapakthehu dhe është larguar nga pragu i derës.

Ndërkohë, burime policore për gazeta Si bëjnë me dije se të moshuarit kanë mbyllur derën të tmerruar. Ata i thanë policisë se jetojnë vetëm prej kohësh dhe se djali i tyre ishte larguar jashtë Shqipërisë në fillim të 2021 dhe nuk kanë asnjë pikë kontakti dhe mundësi komunikimi me të. Fëmijën tjetër po ashtu e kanë emigrant në një vend tjetër të Evropës.

“Nuk patëm asnjë mundësi të flasim me djalin A.G. , mbasi ai i ndërron numrat shpesh dhe na telefonon vetëm ai. Nuk dinim ç’të bënim ndaj vendosëm që mos t’i tregonim askujt, as policisë.”-tha i moshuari në denoncimin e tij.

Por dy ditë më vonë, dy të moshuarve u ka dalë përsëri në rrugë i panjohuri. Menjëherë pasi ai u ka ndërprerë rrugën dhe i ka pyetur nëse i gjetën apo jo 30 mijë eurot kanë tentuar shpjegime dhe arsyet se përse duhet t’ia jepnin ata paratë. Në rast se ishte ashtu si ai pretendonte, pra në rast se i biri u kishte borxh.

“Mua është prishur shtëpia. dhe djali juaj më ka borxhin dhe ka humbur çdo kontakt. Kështu që do i paguani ju.”-u ka thënë i panjohuri.

Edhe me urdhrin e dytë të moshuarit kanë vendosur të heshtin dhe ta lënë të kalojë pa u vënë re. Të tretën herë, kupa është mbushur.

“Ky djalë po na priste në derë të shtëpisë, kërkoi 30 mijë euro. Ne i thamë s’dimë çfarë ka bërë djali dhe nuk të njohim dhe jemi dy pleq. Ai u nxeh dhe kërkoi të hyjë brenda, kërkoi që në mungesë të parave t’i jepnim tapinë e shtëpisë derisa të siguronim paratë.”-ka rrëfyer e moshuara në polici.

Menjëherë pas këtij momenti, pasi ja kanë dalë të mbyllin derën ata janë konsultuar dhe kanë vendosur të telefonojnë policinë. Frika e tyre më e madhe ishte përplasja me të riun e panjohur që nuk u ndahej.

“Kemi administruar numrat e telefonit të të riut dhe presim të kontaktojmë me të.”-tha një zyrtar policie për Gazeta Si, i cili ka urdhëruar sekuestrimin e çdo kamere në zonë për të identifikuar të panjohurit që i ka kërcënuar se do t’i dëmtojë, njofton gazetashqip.

Exit mobile version