Site icon Telegrafi

Djali i Joe Biden, Hunter shpallet fajtor për blerje të paligjshme të një arme

Djali i presidentit amerikan, Joe Biden është shpallur fajtor për blerje të paligjshme të një arme pasi kishte fshehur se përdor drogë.

Hunter Biden, 54 vjeç, u dënua për tre akuza për armë zjarri në ndjekjen e parë penale të pasardhësve të një presidenti amerikan në detyrë.

Prokurorët kishin thënë se ai kishte gënjyer në një formular kur bleu një revole, Colt Cobra në tetor të vitit 2018, duke thënë se ai nuk ishte përdorues droge ose i varur, pavarësisht problemeve me kokainën.

Lexo po ashtu Publikohen foto skandaloze të djalit të Joe Bidenit - disa prej tyre i ka bërë në Kosovë

Biden u deklarua i pafajshëm për akuzat se ai gënjeu rreth varësisë ndaj drogës kur plotësoi një dokument kontrolli qeveritar për revolen dhe posedimin e paligjshëm të armës për 11 ditë, raporton skynews.

Zonja e Parë, Jill Biden ishte në sallën e gjyqit menjëherë pas vendimeve – të cilat erdhën pasi juria diskutoi për rreth tre orë – dhe u pa duke mbajtur dorën e djalit të saj ndërsa ata largoheshin.

Gjyqi përfshinte dëshminë e ish-gruas dhe kunatës së Hunter Bidenit, të cilën folën për varësinë e tij në javët para dhe pas blerjes së armës.

Prokurorët treguan gjithashtu mesazhe me tekst, foto dhe të dhëna bankare që tregonin se Biden ishte në varësi të drogës kur e bleu armën.

Avokatët e Hunter Bidenit u përpoqën të tregonin se ai nuk po përdorte drogë kur bleu armën dhe nuk kishte ndërmend të mashtronte pasi ai nuk e konsideronte veten përdorues droge në atë kohë.

Mbrojtja thirri vajzën e Hunter Bidenit, Naomin, e cila dëshmoi se babai i saj ishte mirë kur e pa atë pak para dhe pasi ai bleu armën.

Lexo po ashtu Djali i Bidenit me nëntë aktakuza të reja, mund të dënohet me 17 vite burg

Biden nuk dëshmoi në gjyqin, i cili u mbajt në qytetin e lindjes së Bidenëve, Wilmington në Delaware.

Udhëzimet e dënimit për akuzat e lidhura me armët janë 15 deri në 21 muaj, por ekspertët ligjorë thonë se të pandehurit në raste të ngjashme shpesh marrin dënime më të shkurtra.

Ata gjithashtu kanë më pak gjasa të shohin burg nëse respektojnë kushtet e lirimit paraprak. /Telegrafi/

Exit mobile version