Antoine Griezmann është i preferuari i Manchester Unitedit dhe Jose Mourinhos, kështu që Djajtë e Kuq nuk duan të dorëzohen për shërbimet e tij.
Gjiganti anglez, Manchester United nuk ka ndërmend të ndalet në transferimet e futbollistëve edhe pse reparti i sulmit për këtë sezon mund të quhet i kompletuar.
Në afatin kalimtar të dimrit, Djajtë e Kuq e kanë ndërmend të rikthehen në negociata për yllin e Atletico Madridit, Antoine Griezmann, i cili nuk u largua në verë nga spanjollët pasi ata vuanin nga bllokada e FIFA-s për transferime.
Megjithatë, sipas mediave britanike, në janar, spanjollët mund të blejnë lojtarë dhe afrimi i Diego Costas mund të shoqërohet me largimin e yllit francez.
Griezmann mendohet se është lojtari ideal për skemat e Jose Mourinhos, i cili do të bëjë të pamundurën për ta blerë në afatin e dimrit.
Në rast dështimi në afatin kalimtar dimëror, gjiganti anglez mendohet se do të tentoj me të gjitha forcat gjatë verës.
Klauzola e largimit të Griezmannit momentalisht është 100 milionë euro, por thuhet se do të rritet në 200 milionë.
Për francezin interesim të madh kanë shprehur edhe rivalët spanjoll, Real Madridi dhe Barcelona. /Telegrafi/