Nensi Dojaka, dje (e martë) fitoi edicionin 2021 të Çmimit LVMH për Dizajnerët e Rinj në një ceremoni të mbushur me yje në Paris, duke shënuar kthimin fizik të ngjarjes prestigjioze pasi finalja e vitit të kaluar u anulua për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Ajo është një stiliste shqiptare e lindur në Tiranë, e cila ka përfunduar studimet për modë në Londër, ku edhe jeton.
Dojaka është e njohur për fustanet e saj të frymëzuara nga të brendshme me prerje grafike dhe detaje sensuale, fanse e së cilës është edhe modelja me famë botërore, Bella Hadid.
E diplomuara në Central Saint Martins po përgatitet të organizojë shfaqjen e saj të parë fizike në pistë më 17 shtator gjatë Javës së Modës në Londër.
Shqiptarja mundi rreth 1,900 aplikantë nga 110 vende për t’u larguar me një çmim të madh prej 300 mijë euro, plus një vit trajnim nga ekspertët e gjigantit luksoz LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton, prind i markave përfshirë Vuitton, Guerlain, Dom Pérignon dhe Sephora Me.
“Shume faleminderit. Nuk e prisja fare”, tha stilistja në mes emocioneve ndërsa pranoi çmimin.
Jacobs tha se juria votoi njëzëri për Dojakën. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë me sa mbaj mend”, tha stilisti amerikan, i cili ka qenë anëtar i jurisë që nga fillimi i çmimit në 2014.
“Ajo bëri një prezantim shumë të mirë. Produkti i saj është shumë origjinal me një këndvështrim unik”, tha Delphine Arnault. “Cilësia është jashtëzakonisht e mirë. Ajo është e mrekullueshme”. /Telegrafi/