Telegrafi

Ditët e fundit të fushatës: Reka, Siljanovska dhe Pendarovski vazhdojnë takimet me qytetarët

Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre.

Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët nëpër vende të ndryshme, të cilat Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend.

Kandidati që përkrahet nga partitë opozitare shqiptare Blerim Reka, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Manastir, Cërnilishtë dhe Zhitoshë, prej ku kërkoi mbështetjen e qytetarëve.

“Ky qytet i alfabetit, i vëllezërve Manaki por pa shqiptarë. Maqedonia nuk ka kapacitet institucional për ta dërguar këtë shtet përpara. Ky shtet nuk shkon përpara nëse ende oligarkia qëndron përpara politik bërjes. Na vjen mirë që më në fund edhe Qeveria e pranoi parashikimin tim të saktë se vështirë do mund të marrim datën për fillim të negociatave – pa reforma. Na pret një punë e madhe. Si president, me ekspertizën time mund t’i ndihmojë këtij shteti që të mos i bëjnë gabimet e njëjta. Maqedonisë i nevojitet reformë e re që të mos mbetet shtet i zbrazur”, tha Reka.

Kandidatja e cila përkrahet nga partia opozitare maqedonase Gordana Siljanovska, dje ka qëndruar në Vallandovë, prej ku vendosi theksin në sundimin e së drejtës dhe shtetin juridik.

“Njerëzit po ikin, edhe atë ata që na duhen më së shumti, që janë më të mençur, më të aftë. Për fat të keq, politika e këtij pushteti nuk është politik që mban llogari. Nuk bën asgjë për t’i mbajtur këtu, përkundrazi, mendon si t’i largojë. Kjo duhet të ndryshojë”, tha Siljanovska.

Ndërsa kandidati i partive në pushtet Stevo Pendarovski, dje ka mbajtur tubim në Kriva Pallankë, prej ku tha se Maqedonia me ftesën për në NATO ka garancë ndërkombëtare për sigurinë dhe kufijtë.

“Vota për Gordana Siljanovskë do të thotë mandat i tretë i Ivanovit. Vota për Mickoskin në zgjedhjet e ardhshme do të thotë kthim i Gruevskit. Emri është tjetër, por politikat janë të njëjta. Të mos lejojmë kthim mbrapa në të kaluarën e errët. Të gjithë e dimë si ka qenë në kohën e regjimit”, tha Pendarovski.

Ndryshe, kandidatët për kryetar shteti edhe gjatë ditës së sotme do të vazhdojnë aktivitetet në kuadër të fushatës, e cila përfundon më 20 prill./Telegrafi/