Site icon Telegrafi

Ditëlindja e Skënderbeut, Kurti: Ikonë e identitetit shqiptar

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shkruar sot në ditëlindjen e heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ndërsa thekson se Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet.

Lexoni të plotë postimin:

Sot shënojmë ditën e lindjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit tonë dhe i dëshirës sonë për liri!

Flamuri i kombit tonë mban edhe sot me krenari simbolikën e tij. Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet. Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike. /Telegrafi/

Exit mobile version