Telegrafi

Ditë më parë Obama konfirmoi ekzistencën e UFO-ve, kur u pyet Biden për këtë – ai u përgjigj me dozë humori: Do ta pyesja sërish Obamën

Pasi që ditë më parë ish-presidenti amerikan Barack Obama pranoi për ekzistencën e UFO-ve dhe se ushtria amerikane është munduar t’i gjurmojë, opinioni në SHBA është ndarë në dysh, ku një pjesë e tyre nuk i besojnë këtyre teorive e tjerët janë kurioz të dinë më shumë për këtë çështje.

Gjatë një shou televiziv, Obama tha se ka parë imazhe të ndryshme ku shihen objekte të paidentifikuara duke fluturuar në qiell, duke specifikuar se nuk e di saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, transmeton Telegrafi.

E pasi që është rritur interesimi për këtë çështje, presidenti amerikan Joe Biden gjatë një konference për media është pyetur nga gazetarët që të komentoj deklaratat e Obamës.

Por ai e mori me sportivitet dhe me një dozë humori i është përgjigjur shkurt gazetarit, duke i sugjeruar se do të ishte mirë ta pyes sërish Obamën – duke aluduar në atë se nuk beson në jashtëtokësorë.

“Ne nuk mund të shpjegojmë se si lëvizin, nuk mund të shpjegojmë trajektoren e tyre. Ata nuk kishin një model lehtësisht të shpjegueshëm. Kështu që mendoj se njerëzit ende përpiqen të hetojnë dhe të kuptojnë se çfarë janë”, ishte shprehur Obama.

Ndërkaq pas përgjigjes së shkurtër, Biden u largua nga salla duke i lënë të gjithë të buzëqeshur. /Telegrafi/