Telegrafi

Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në luftë, Kurti: Është detyrim i yni t’i përkrahim të mbijetuarat, të jemi zë i fuqishëm

Sot është Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, ndërkaq kryeministri i vendit, Albin Kurti theksoi se gjatë viteve 1998 – 99 në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia.

Kurti shkruan se ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë dhe ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra.

“Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë.

Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi.

Përmes ndryshimit të ligjit e kemi zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025. Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte”, shkruan Kurti.

Ndryshe, nuk dihet saktë numri i të përdhunuarve gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, por, përfaqësish thuhet të jenë rreth 20.000.

Në vitin 2014 Kosova miratoi një ligj për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të dhunuar dhe deri tani këtë status e kanë rreth 1.650 persona. /Telegrafi/