Çdo ditë përpiqet një burrë në Gjermani të vrasë partneren apo ish-partneren e tij. Çdo të tretën ditë madje ndodh një krim i tillë. Aktivistet ankohen për dënime shumë të buta për vrasësit
Ishte shkurti i vitit 2018, kur në Frankfurt mbi Main një burrë 35 vjeçar qëlloi për vdekje 18 herë me thikë ish-partneren.
Gruaja ndërroi jetë pak minuta më vonë para derës së shtëpisë. Julia Schäfer atëherë ishte prokurore në Frankfurt dhe u thirr menjëherë në vendin e ngjarjes, raporton deutschewelle.
Parë nga sot tragjikisht ky ishte një rast klasik, thotë ajo “Të dy kishin një lidhje, në fund u ndanë, ai u përpoq për një kohë të gjatë ta rifitonte atë. Në këtë fazë ka patur akte dhune të vrasësit të mëvonshëm. Gruaja e kishte denoncuar atë, personi ishte i njohur për policinë. Madje atij i ishte ndaluar kontakti dhe afrimi me ish-partneren. Në natën e krimit, ai priti me orë për ish-të dashurën. Kur ajo i bëri të ditur, se për të lidhja ka marrë fund dhe se nuk dëshiron më një vazhdim të saj, ai nxori thikën dhe e qëlloi”.
Në Gjermani çdo ditë një burrë përpiqet të vrasë partneren apo ish-partneren. Çdo të tretën ditë arrihet të kryhet një vrasje e tillë.
Sipas Julia Schäfer, ndërkohë drejtuese e Qendrës Koordinuese kundër Dhunës Familjare, vrasja e partneres nuk ndodh sot me nesër. “Ajo është shpesh pika kulmore e tmerrshme e një historie të gjatë. Dhuna familjare fillon që me fyerjet, poshtërimin, apo ushtrimin e presionit.” Organizatat për të drejtat e grave kritikojnë paraqitjen që i bëhet në median gjermane krimeve të tilla. Shpesh krimet dramatizohen ose romantizohen “kur flitet për drama xhelozie apo drama dashurie e tragjedi familjare”.
Vanesa Bell nga organizata për gruan “Terre des Femmes” thekson, se këto formulime kanë efekt në atë, se si shihet një krim i tillë. Krimi kthehet kështu në një çështje private, në një rast të veçantë, e jo në një problem shoqëror. “Akoma në Gjermani kjo është një temë tabu”, thotë Bell. Shifrat e errëta janë më të larta, statistikat paraqesin vetëm kriminelët e dënuar apo të denoncuar. Një studim i gjerë i BE nga viti 2014 ka treguar, se përafërsisht vetëm një në tre raste denoncohet në polici.
Në vitin 2018 Gjermania nënshkroi Konventën e Stambollit, që është marrëveshja e parë në të gjithë botën me detyrim ligjor në luftimin dhe pengimin e dhunës familjare.
Konventa e kategorizon femicidin si problem shoqëror, përqendrohet tek mbrojtja e viktimave dhe propozon masa, që duhet të integrohen edhe në sistemin ligjor gjerman.
Vitin e ardhshëm një grup vëzhguesish do të shohë më nga afër gjendjen në Gjermani. Organizatat e grave shpresojnë, që kjo të ndikojë që të shtohen specializimet për gjykatësit, policët, dhe konsultat ligjore për viktimat. Po ashtu të rritet edhe numri i strehimoreve të grave. 16.000 gra në vit në Gjermani strehohen në këto strehimore.