Site icon Telegrafi

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, historia e hebrenjve në Shqipëri

27 janari është Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit. Kjo datë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pasi shënon ditën e çlirimit të kampit famëkeq të Auschwitz në vitin 1945.

Më 27 janar 79 vite më parë, trupat ruse hynë në kampin e përqendrimit të Auschwitz, në Poloninë jugore, duke liruar ata pak të burgosur që i kishin mbijetuar torturave të vazhdueshme dhe epidemisë së tifos që kishte kapluar burgjet naziste.

Nga viti 1933 deri më 1945 Gjermania ngriti më shumë se 1000 kampe përqendrimi dhe vende burgimi.

Kujtimi i këtyre masakrave të së shkuarës në fakt i shërben mbi të gjitha të ardhmes së njerëzimit. Duke mbajtur gjallë kujtesën e këtyre akteve çnjerëzore, ne ndihmojmë brezat e ardhshëm të ndërgjegjësohen duke mos lejuar që historia të përsëritet.

Në Luftën e Dytë Botërore, rreth 6 milionë hebrenj u vranë gjatë përpjekjeve sistematike të sistemit nazist për të shfarosur këtë komunitet, nën pretekstin se hebrenjtë dhe komunistët kishin kontribuuar në rrënimin e popullit gjerman pas luftës së parë botërore, shkruan Euronews.al.

Kjo është arsyeja përse gjatë kësaj dite, OKB nxit çdo shtet anëtarë të nderojë kujtimin e 6 milionë viktimave hebreje të Holokaustit, dhe miliona të tjerëve që u vranë si pasojë e regjimit nazist.

Shqiptarët njihen botërisht për rolin që luajtën gjatë Luftë së Dytë Botërore. Shpesh citohet fakti se Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë, që numërojë më shumë hebrenj pas luftës se sa para saj.

“Ajo që ndodhi në Shqipëri është me të vërtetë shumë e veçantë. Hebrenjtë ikën nga vendet fqinje – Serbia, Maqedonia, Kosova – në Shqipëri, në arrati nga nazistët. Gjermanët po kërkonin lista dhe në Greqi ose Serbi njerëzit u jepnin atyre lista të banorëve hebrenj. Në Shqipëri, kjo nuk ndodhi”, thotë Geront Kureta, kryetar i Komunitetit Hebre në Shqipëri.

Deri në fund të luftës, Shqipëria ishte shtëpia e rreth 3.000 hebrenjve për shkak të guximit të shqiptarëve që treguan solidaritet duke rrezikuar jetën e tyre për të siguruar një strehë për hebrenjtë që arratiseshin nga vendet fqinje.

Këtë e tregon kryetari i komuniteti Hebre, Amos Dojaka, i cili edhe gjyshen e kishte hebreje nga Çekosllovakia.

“3750 hebrenj të shpëtuar nuk është aq e kollajtë në atë kohë kur edhe Gjermani ishte prezent. Kemi një popullatë që ka ndihmuar. Kemi një mbret Zog me urdhrin e tij, që të pajisen me pasaporta ose me leje kalimi në të gjithë ambasadat. Kemi qeverinë e Mehdi Frashërit që përsëri nuk e dorëzoi listën e Hebrenje, pavarësisht se u kërkua disa herë nga gjermanët. Në Talmudin hebre është një fjalë kush shpëton një jetë shpëton gjithë njerëzimin”, tha Dojaka.

Në ditët e sotme, mbi 160 hebrenj jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, shumica e tyre në Tiranë.

Megjithatë, qyteti ku fillimisht u strehuan më shumë hebrenj është Vlora, dhe aty do të ndërtohet një muze i dedikuar.

Personalitete hebreje që jetuan në Shqipëri

Në fakt, ka shqiptarë të shumtë me origjinë hebreje që kanë dhënë kontributin e tyre në vendin tonë, edhe pse shumica e atyre që ishin strehuar në Shqipëri pas luftës, u shpërngulën në Izrael menjëherë pas rënies së komunizmit.

Duhet thënë se regjimi komunist nuk i trajtojë hebrenjtë në mënyrën më dinjitoze të mundshme, madje shumë prej tyre u persekutuan, dhe të tjerëve iu mohua e drejta e shkollimit.

Njëra prej tyre është Felicita Jakoel – kryetarja e shoqatës Shqipëri – Izrael.

Babai i Felicitas dhe i motrës së saj, Ksenias ishte Jozef Jakoel. Familja e Jozefit ishte vendosur ne Vlorë si dhjetëra familje izraelite qe vinin nga Janina e Greqisë.

Motrat gjatë komunizmit u detyruan të bëjnë “jetë të dyfishtë”, pasi gjyshi i tyre Rafal Jakoel, pas luftës u etiketua si familje borgjeze. Kjo shërbeu për t’i mohuar Felicitas shkollën e lartë për piano, edhe pse ajo studiojë gjuhë të huaja dhe sot jeton me familjen e saj në Izrael.

Një tjetër, hebre me emër në Shqipëri ka qenë përkthyesi i mirënjohur Robert Shvarc, ai lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë  shqiptare nga Elbasani.

Shvarc përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip nga Remarku, Gëte, Fojtvanger, dhe Markez.

Më 24 janar 2022 ndërroi jetë Konstandin Martiniani, emri i regjistrimit Bardhyl. Ai ishte një nga drejtorët me modernë të kinematografisë në periudhën e komunizmit.

Ka xhiruar mbi 50 filma artistikë, ndër ta Nusja dhe shtetrrethimi, Vdekja e Kalit, Kthimi Ushtrisë së Vdekur, Dora e Ngrohtë etj.

Familja e tij u persekutua, pasi babai ishte një nga avokatet më të njohur në Shqipëri në kohën e Zogut.

Geront Kureta është kryetari i Komunitetit Hebre në Shqipëri. Ai lindi në 1968 në Vlorë.

Historikisht Vlora është konsideruar si shtëpia e komunitetit hebre të Shqipërisë. Në vitet 1920 dhe 1930, tregtarët hebrenj me origjinë romaniote udhëtuan atje nga Janina në Greqinë veriore. Gjyshi dhe gjyshja e Kuretës ishin të dy rrobaqepës.

Zino Matathia punoi për 13 vite si kirurg në Berat, para se të nisej për Izrael me familjen e tij në vitin 1991.

Ai lindi në Vlorë, një qytet të cilin e kujton me mall. “Ndihem shqiptar se u linda në Shqipëri… kam jetuar në Shqipëri, flas shqip, mendoj shqip, ëndërroj shqip, gëzoj shqip, shaj shqip, kam zakone shqiptare dhe vlerat e tyre nuk do t’i këmbeja me ato të popujve të tjetër”, thotë ai. /euronews.al

Exit mobile version