Site icon Telegrafi

Dita Ndërkombëtare e Gruas iu kushtua grave të dhunuara gjatë luftës

Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me kryetarin e  Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me shfaqjen e Filmit Dokumentar “Mendoj për Ty”, dokumentar i cili paraqet solidarizimin e grave dhe burrave anekënd Kosovës për të thyer heshtjen dhe për t’i përkrahur gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës.

Me këtë rast, kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu Kodra, tha se po i bashkohen kësaj feste ndërkombëtare në shenjë të mbrojtjes së lirisë së gruas.

“Është nder dhe privilegj për mua që të hap këtë takim të sotëm, i cili po bëhet me rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Sot po i bashkohemi një feste ndërkombëtare në shenjë të mbrojtjes së lirisë së gruas, duke u bashkuar kështu me të gjitha gratë anembanë botës. Me ato gra të cilat po vazhdojnë të shtypen në mënyrën më çnjerëzore nga fiset primitive në vendet pa demokraci. Po shënojmë për të mos harruar, sepse askush si ne kosovarët nuk e di më mirë se çdo të thotë të jesh grua, në një vend ku për disa dekada ka ndryshime rrënjësore, të sistemeve politike, statusit politik dhe të zhvillimit demokratik”, tha ajo.

“Ne që ngritëm jetët tona mbi dhimbjen dhe krenarinë, sot po tejkalojmë kufijtë e paragjykimeve , që i shërbejnë pluralizmit politik, integrimit të të gjitha komuniteteve, po ndërtojmë jetën tonë të re mbi vlerat tona të reja. Ne sot i bashkohemi grave të cilat me krenari ushtrojnë profesionet prej me të vështirave në botë dhe ndajmë gëzimin e suksesin kudo qofshin ato. Zonjat e mbledhura këtu nuk janë vetëm simbol i emancipimit të shoqërisë në vendin tonë, ato janë gra të cilat dhanë kontributin e jashtëzakonshëm të gruas nder vite, në kohën e rezistencës, në luftë, dhe në liri, janë gra të cilat ndër vite po bëjnë ndryshimin. Janë nënat që mbajtën gjallë frymën e rezistencës të bijave dhe të bijve të tyre”, tha Blerta Deliu-Kodra.

Ajo tha se në këtë ditë, nuk mund të mos përmend gratë të cilat në procesin ne çlirimit të vendit ishin shtyllë për të arritur idealet kombëtare për shtetin e pavarur të Kosovës, ishin ato të cilat me shumë mundime rritën fëmijët e tyre pa burrat e tyre, që ishin vrarë e burgosur.

“Ato janë dhe do të mbesin heroinat e luftës për mbijetesë dhe pa kontributin e tyre nuk do të kishim as me të voglën mundësi të mbijetesës si popull. Sot,  në këtë ditë do të shpreh shqetësimin e grave deputete, për dhunën ndaj grave e cila po rritet çdo ditë e më shumë. Ne gratë deputete që kemi marrë përsipër që të përfaqësojmë gratë të cilat nuk kanë zë dhe duan që ne të jemi zëri i tyre, po përcjellim me shqetësim të madh ngjarjet e fundit në vend, duke bërë thirrje për një zgjidhje politike, për qetësim të situatës, për më shumë paqe dhe tolerancë, për të qenë më afër njëra-tjetrës dhe për të pasur njëherë e përgjithmonë të qartë se vetëm kështu mund të jemi më të fuqishme”, u shpreh deputetja.

“Në këtë ditë ndërkombëtare të gruas, ne gratë deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës apelojmë tek të gjitha institucionet për më shumë mbështetjeje dhe qasje në drejtësi për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ne gratë deputete kërkojmë nga institucionet që njëherë e përgjithmonë ta thyejmë heshtjen dhe të ofrojmë garanci që ky krim çnjerëzor të njihet dhe të dënohet, që kriminelet të dalin para drejtësisë dhe të mbijetuarave t’u garantohet një jetë në paqe dhe drejtësi, për t’ju ofruar atyre mbrojtje institucionale dhe shoqërore,duke ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për rehabilitim, riintegrim dhe risocializim”, tha Deliu-Kodra. /Telegrafi/

 

Exit mobile version