Dita Ndërkombëtare e Grave festohet në mënyra të ndryshme anë e mbanë botës – disa e shndërrojnë këtë ditë në festë publike, e disa e shfrytëzojnë si mundësi për ta rritur vetëdijesimin rreth problemeve me të cilat ende ballafaqohen gratë anë e mbanë botës.
Në SHBA, i tërë muaji mars festohet si Muaji i Historisë së Grave.
Kjo ditë është pikë kryesore për vazhdimin e lëvizjes drejt avancimit të barazisë gjinore, andaj edhe shërben si mundësi për të festuar dhe protestuar.
Por, përse e festojmë me datën 8 mars?
Hera e parë kur është festuar dita e grave ka qenë më 28 shkurt të vitit 1909 në Nju Jork, ndërkaq ishte organizuar nga Partia Socialiste e Amerikës.
Partia e kishte dizajnuar këtë ditë në nder të protestave të grave të vitit 1908, ku gratë kishin protestuar atë kohë kundër kushteve të punës.
Kështu, praktika për të festuar një ditë vetëm për nderë të grave filloi të shpërndahet përgjatë Evropës gjatë viteve të hershme të 1900’ta.
Në vitin 1914, Dita Ndërkombëtare e Grave ishte mbajtur me 8 mars në Gjermani, me shumë mundësi për shkak se kishte qenë ditë e diele, dhe prej atëherë duket se ka mbetur kjo datë.
Në vitin 1917, në Rusi femrat e kishin fituar të drejtën e votës, ndërkaq edhe atje data 8 mars ishte bërë festë shtetërore që shënonte ditën e grave.
Kjo datë pastaj ishte shpërndarë edhe në shtetet tjera komuniste, ku Kina e kishte adaptuar në vitin 1922.
Viti Ndërkombëtar i Grave ishte mbajtur në vitin 1975 – vitin ku Kombet e Bashkuara kishin filluar ta festonin Ditën Ndërkombëtare të Grave me 8 mars.
Në dhjetor të vitit 1977, Këshilli i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i kishte ftuar shtetet anëtare që ta shpallnin 8 marsin si Dita e KB-së për të drejtat e grave dhe paqen botërore.
Si festohet 8 marsi në shtetet e ndryshme të botës?
SHBA – Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti e nxjerr një deklaratë zyrtare për nderë të arritjeve të grave amerikane.
Kinë – 8 marsi ka qenë festë shtetërore qysh prej vitit 1949 në Kinë, ku shumë kompani u ofrojnë grave të punojnë me gjysmë orari.
Itali – Dita Ndërkombëtare e Grave në Itali quhet “La Festa della Donna”, dhe kryesisht festohet duke u dhuruar femrave lule Mimosa, të cilat janë të verdha e të ndritshme.
Gjermani – Në kryeqytetin e Gjermanisë, pra në Berlin, kjo ditë është festë shtetërore dhe punëtorët e kanë pushim.
Spanjë – Në vitin 2018, më shumë se pesë milionë femra punëtore e kishin shënuar Ditën Ndërkombëtaret ë Grave me një grevë 24-orëshe për të protestuar kundër pabarazisë gjinore në rrogë, por edhe kundër dhunës fizike dhe diskriminimit seksual në vend të punës. Të njëjta protesta priten edhe këtë vit.
Mbretëritë e Bashkuara – Në MB, kjo ditë shihet si mundësi për ta rritur vetëdijesimin e problemeve sociale dhe politike që ndikojnë te gratë. /Telegrafi/