Kroacia mbështet rrugëtimin evropian të Kosovës, deklaroi ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë Daniela Barishiq në shënimin e Ditës së Shtetësisë së Kroacisë.
Krahas mbështetjes për Kosovën, ajo tha se presin që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin terrorist në Banjskë të dënohen.
“Qeveria kroate e zgjedhur së fundmi do të vazhdojë mbështetjen e saj të fuqishme për të ardhmen dhe aspiratat kosovaro-evropiane dhe euroatlantike. Të gjithë e dimë se agresioni rus në Ukrainë dy vjet më parë ndryshoi rendin ndërkombëtar siç e njihnim të gjithë. Fatkeqësisht, lufta në Ukrainë ende vazhdon. Tetorin e kaluar, ne ishim dëshmitarë të sulmit brutal të Hamasit ndaj Izraelit, dhe as ky rajon nuk është kursyer nga kriza, dhe ne kemi parë sulme të dhunshme në Banjska në shtator. Ne jemi ende duke pritur që të gjithë të përfshirët të sanksionohen. Kjo është arsyeja pse tani, më shumë se kurrë ka rëndësi BE. Bashkimi Evropian ishte dhe është një projekt paqeje i paprecedentë, është një komunitet forca e të cilit qëndron në vlerat e përbashkëta dhe solidaritet, dhe rruga drejt Evropës është ndërtimi i institucioneve dhe shtet-ndërtimi, por është gjithashtu një mekanizëm i pajtimit shoqëror ose rindërtimit të marrëdhënieve dhe stabilitetit rajonal. Pra, më lejoni të përsëris dhe të nënvizoj se Kroacia qëndron me Kosovën në rrugën e saj”, tha ajo.
Pjesë e ceremonisë së ditës së shtetësisë së Kroacisë ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha rrugëtimi evropian i Kroacisë është model për Kosovën.
“Rruga e Kroacisë drejt integrimit evropian dhe pranimi në NATO në vitin 2009, krah për krah me Shqipërinë, si dhe anëtarësimi i saj në BE në vitin 2013, qëndron si model për Republikën e Kosovës, frymëzim për përpjekjet tona dhe përkushtimin tonë për integrimet euroatlantike. Vendet tona ndajnë një aleancë historike dhe Kroacia ka qenë më shumë se një partnere e Kosovës. Vendi juaj ofron mbështetje vetëmohuese dhe solidaritet të domosdoshëm në kërkimin tonë të përbashkët për paqe, demokraci dhe mirëqenie sociale të shoqëruar me marrëdhënie të mira fqinjësore në rajonin tonë. Kroacia dhe populli i saj gjithmonë i kanë ofruar mbështetje të madhe Kosovës, veçanërisht në 16 vitet e fundit që nga pavarësia. Dua të theksoj se Republika e Kosovës e vlerëson shumë këtë mbështetje dhe e vlerëson si shenjë të miqësisë së ngushtë mes dy popujve tanë. Ne përballemi me shumë sfida të përbashkëta”, theksoi Kurti.
Pjesëmarrës në ceremoninë e shënimit të Ditës së Shtetësisë së Kroacisë ishin edhe përfaqësues diplomatikë të akredituar, si dhe nga partitë politike në Kosovë.