Në ditën e parë të afatit shtesë, vërehet interesim i madh i serbëve në Mitrovicë të Veriut për t’i konvertuar targat ilegale serbe në ato RKS.
Megjithëse nuk kanë shumë gatishmëri për të folur, ata thonë se nuk frikësohen nga strukturat paralele.
Gatishmërinë për t’i ndryshuar targat e kanë më të madhe se vullnetin për të folur për to.
Serbët e Mitrovicës Veriore, një nga një në radhë po presin për t’i larguar targat ilegale të Serbisë dhe për t’u pajisur me ato “RKS”.
Kjo, pasi zyrtarisht ka filluar afati shtesë prej një muaji, ku Ministria e Punëve të Brendshme ofron mundësinë që konvertimi të bëhet falas.
Bile pa ndrojtje para komunës e kryejnë procesin e ndryshimit të targave.
Hezitojnë shumë të flasin para kamerës, por kur pyeten nëse frikësohen nga strukturat paralele, ata me targa në duar, thonë “jo”.
Nga ta ka edhe serbë që flasin mjaft mirë gjuhën shqipe.
Të përbashkët e kanë vendimin për të mos u deklaruar haptas.
“Nuk frikësohem e nuk kam kërcënime, po i ndryshova targat por nuk dua të jap më shumë deklaratë.”
E, për ata që akoma mbajnë targat ilegale “KM” dhe me akronime të tjera, Policia e Kosovës po kujdeset të shpërndajë broshura për t’i lajmëruar rreth mundësisë dhe afateve për procesin e konvertimit.
Se ky afat u zgjat pikërisht shkaku i kërkesës së serbëve e thotë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Bile ai tregon se si do të veprojë Policia pas përfundimit të këtij afati.
Nga MPB i kanë thënë televizionit se për ditën e sotme akoma nuk kanë një shifër, veçse interesimi, siç vlerësojnë ata, ka qenë i jashtëzakonshëm.
Sipas këtij institucioni, deri dje numri i qytetarëve që kanë konvertuar targat në “RKS” është 805.