Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë ndeshjen e parë miqësore për vitin 2018.
Kuqezinjtë do të përballen me Kombëtaren e Norvegjisë për të cilën do të jetë miqësorja e dytë brenda pak ditëve.
Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci ka grumbulluar 25 futbollistë për këtë takim ku disa nga ta janë të rinj.
Enis Gavazaj, Kristel Abazaj, Herdi Prenga, Bujar Lika dhe Keidi Bare janë ftuar për herë të parë në Kombëtaren A.
Shqipëria dhe Norvegjia janë përballur katër herë mes vete.
Një fitore i ka takuar Kuqezinjve, një tjetër Kombëtares së Norvegjisë ndërsa dy takime tjera kanë përfunduar me rezultat të barabartë.
Së fundmi dy Kombëtaret janë përballur mes vete në vitin 2013 në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Shqipëria kishte triumfuar në udhëtim me rezultat minimal 0-1 falë një goli nga Hamdi Salihu.
Ndërkohë ndeshja në Tiranë kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1-1 ku për Shqipërinë kishte shënuar Valdet Rama.
Ndeshja e sotme zhvillohet në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në Elbasan dhe fillon nga ora 19:00. /Telegrafi/