Java e 26-të në elitën e futbollit kosovar do të jetë java e derbit lokal mes Gjilanit dhe Dritës.
Për herë të parë që nga viti 2011 ky derbi i qytetit të Gjilanit do të zhvillohet në kryeqytet, në Prishtinë.
Gjilani do të jetë në cilësinë e nikoqirit në këtë takim përballë Dritës dhe ndeshja është vendosur të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:00.
Stadiumi në kryeqytet pritet të jetë i stërmbushur pasi mijëra qytetarë kanë paralajmëruar udhëtimin nga qyteti i Gjilanit, por dashamirë të futbollit kosovar edhe nga qytetet tjera pritet të jenë prezent në shkallët e stadiumit.
Të dy skuadrat futen në këtë takim pas ndeshjeve të mira në javët e fundit dhe synojnë fitoren për lavdi, për tifozët e shumtë që kanë të dyja.
Se është derbi i rëndësishëm e tregojnë edhe disa lokale në Gjilan ku kanë filluar të stolisën me ngjyrat e të dyja klubeve.
Dardan Çaka do të jetë gjyqtari kryesor në këtë derbi, ndërsa ndihmësit e tij do të jenë Edmond Zeqiri dhe Bujar Selimaj.
Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së sotme do të luhet në Therandë,ku Ballkani do të jetë nikoqir i Flamurtarit. /Telegrafi/