Telegrafi

Dita e derbit, pritet spektakël i madh i futbollit në Gjilan

Elita e futbollit kosovar do të vazhdoj javën e shtatë me tri përballje shumë interesante që zhvillohen ditën e sotme.

Padyshim vëmendja e gjithë adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në derbin e qytetit të Gjilanit, ku Gjilani dhe Drita takohen për herë të parë këtë edicion.

Stadiumi i qytetit në Gjilan pritet të jetë i stërmbushur si gjithnjë nga ‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’ që gjithmonë garantojnë atmosferë të zjarrtë.

Të dyja skuadrat vijnë në këtë takim pas një nisje realisht të mirë të edicionit, pasi aktualisht Gjilani zë pozitën e tretë në tabelë me 12 pikë, ndërsa Drita është një pozitë më poshtë me një pikë më pak.

Besfort Kasumi do ta gjykojë këtë super sfidë së bashku me ndihmësit Edomnd Zeqiri dhe Fatmir Sekiraqa, ndërkohë gjyqtari i katërt është Alban Shala.

Prishtina pas këndelljes me tri fitore radhazi do të ketë një takim të vështirë, pasi luan në udhëtim te Vushtrria.

Vushtrriasit nuk janë në gjendje të mirë dhe kanë nevojë për pikë, ndërkohë kryeqytetasit synojnë që të marrin fitoren e katërt radhazi.

Ndërkohë në Skenderaj do të zhvillohet një përballje mjaftë interesante mes Drenicës dhe Ballkanit.

Dy skuadrat që bëjnë futboll jashtëzakonisht të bukur do të jenë përballë njera-tjetrës.

Tahir Lushtaku me skuadrën e tij Drenicën dhe Ismet Munishi me Ballkanin pritet të dhurojnë spektakël. /Telegrafi/

Ipko Superliga e Kosovës:

14:00 Drenica – Ballkani
15:00 Vushtrria – Prishtina
15:00 Gjilani – Drita