Telegrafi

Dita e 15-të në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 – SHBA-të vazhdojnë ta ruajnë primatin

Ka përfunduar dita e 15-të në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris, ku edhe sot u thyen disa rekorde olimpike dhe botërore, ku spikatën vrapimi në 10 mijë metra për femra, 400 metra me pengesa për meshkuj si dhe finalja e futbollit te meshkujt.

As të premten e 9 gushtit nuk mungoi spektakli, ndërsa jemi në ditët e fundit të garave, pasi ‘Paris 2024’ përfundojnë të dielën e kësaj jave.

Beatrice Chebet nga Kenia ka fituar medaljen e artë në 10 mijë metra vrapim për femra, në një garë të bukur sidomos në metrat e fundit.

Rai Benjamin nga Amerika ka mposhtur rivalin e tij norvegjezin Karsten Warholm, për të fituar medaljen e artë olimpike në 400 metra me pengesa.

Ekipi olimpik i Spanjës në futboll fitoi medaljen e artë pasi mposhti në finale nikoqirin Francën me rezultat 5-3. ‘Gjelat’ përkundër paraqitjeve shumë të mira u desh të gëzoheshin me medaljen e argjendtë, ndërsa kujtojmë se e bronzta i ka takuar Marokut.

Po ashtu edhe boksierja e shumëpërfolur në Lojërat Olimpike, Imane Khelif, ka arritur që ta fitojë medaljen e artë në kategorinë -66 kilogramë, duke mposhtur në finale kinezen Yang Liu.

SHBA-të vazhdojnë ta ruajnë primatin edhe pas ditës së 15-të me 111 medalje të fituara gjithsej ku në mesin e tyre janë 33 të arta, 39 të argjendta dhe 39 të bronzta.

Pas tyre menjëherë renditet Republika e Kinës që ka fituar në total 83 medalje, në mesin e të cilave 33 të arta, 27 të argjendta dhe 23 të bronzta.

Top treshen e mbyll Australia që ka të fituara gjithsej 48 medalje: 18 të arta, 16 të argjendta dhe 14 të bronzta.

Japonia, Britania e Madhe, Franca, Republika e Koresë, Holanda, Gjermania dhe Italia janë në top 10-të./Telegrafi/