Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, përmes një njoftimi për media ka dhënë informacione rreth ditës së 13-të grevës në institucionet arsimore.
Sipas njoftimit thuhet se Këshilli Qendror Grevist ka vërejtur se ditët e fundit ka presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke u munduar ta shantazhojnë e etiketojnë me postime të rrejshme, pastaj përgatitja e tentim sulmit fizik gjatë vizitës së tij që u bëri grevistëve.
“Presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë – rasti i djeshëm i vizitës së Kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën.
Ju bëjmë apel prindërve që edhe përkundër që numri është i vogël që tentuan me nxënës ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve, që të heqin dorë nga kjo metodë, sepse në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet. Presionin ta orientojnë drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore”, thuhet në njoftim.
Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut ka theksuar se është duke i përcjell me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë së tyre.
“Të gjitha këto do ti paraqesim pranë organeve të drejtësisë. Apelojmë te organet e rendit dhe organet tjera që me vëmendje ti përcjellin rastet si ai i djeshmi ndaj kryetarit Jasharaj dhe tentuesit e prishjes se rendit ti vejmë para organeve të drejtësisë, po ashtu edhe nxitësit të cilët me dezinformata të ndryshme nxisin këto sulme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/