Site icon Telegrafi

“Distancohem me vendosmëri nga çdo lloj ekstremizmi”, Rudiger mbrohet pas pretendimeve të gazetarit gjerman

Antonio Rudiger ka qenë në lajme ditët e fundit, pasi ish-kryeredaktori i Bild, Julian Reichelt, akuzoi mbrojtësin e Real Madridit për një gjest të lidhur me organizatën terroriste Shteti Islamik, i njohur gjithashtu si IS, pas një postimi në Instagram.

Rudiger dhe Federata Gjermane e Futbollit (DfB), kanë ndërmarrë veprime ligjore kundër Reichelt, dhe tani 31-vjeçari ka lëshuar një deklaratë për këtë çështje, në të cilën ai mohoi me forcë çdo lidhje me grupet ekstremiste.

“Me rastin e fillimit të agjërimit, kam postuar një foto në Instagram. Tashmë prej 13 ditësh (që nga 11 marsi) është shfaqur publikisht dhe ka arritur në disa milionë ndërveprime pa asnjë kritikë nga askush, por ditët e fundit fotoja është përdorur nga individë për të hedhur akuza të pabaza”.

Lexo po ashtu Rudiger merr masa ligjore, denoncon gazetarin që e lidhi me një organizatë terroriste

“Gjesti që përdora quhet gishti teuhid. Në Islam, kjo konsiderohet simbol i unitetit dhe njëshmërisë së Zotit. Gjesti është i përhapur në mesin e myslimanëve në mbarë botën dhe ditët e fundit Ministria Federale e Brendshme e ka cilësuar atë si joproblematik”.

“Si një mysliman i devotshëm, unë praktikoj besimin tim, por distancohem me vendosmëri nga çdo lloj ekstremizmi dhe akuza për islamizëm. Dhuna dhe terrorizmi janë absolutisht të papranueshme. Unë jam për paqen dhe tolerancën”, ka thënë Rudiger në reagimin e tij.

Në mes të çështjes ligjore në vazhdim, Rudiger do të përpiqet të përqendrojë mendjen e tij përsëri në çështjet e Real Madridit, ndërsa përgatitet të përballet me Athletic Bilbao këtë fundjavë. /Telegrafi/

Exit mobile version