Ligji për Qeverinë i votuar në vitin 2013 ka shkaktuar diskutim të ashpër ndërmjet deputetëve të LSDM-së dhe atyre të VMRO-DPMNE-së në Kuvendin e Maqedonisë, transmeton Telegrafi.
Sipas këtij ligji, kryeministri ka të drejtë që pas ndërprerjes së kryerjes së detyrës, për aq sa ka qenë në atë detyrë, të ketë sigurim personal. Kjo i bie që Nikolla Gruevski do të ketë veturë, shofer dhe sigurim zyrtar në dhjetë vitet e ardhshme.
Socialdemokratët kërkuan që të hiqet e drejta e sigurimit personal për kryetarin e Qeverisë të cilit i është ndërprerë funksioni, si edhe Gruevski të heqë dorë nga ky privilegj, ndërkaq VMRO-DPMNE thotë se këtë gjë duhet ta bëjë fillimisht Branko Cërvenkovski, ish-kryeministër dhe ish-kryetar shteti i Maqedonisë.