Gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të diskriminuara në të gjitha sferat e jetës, qoftë në punësim, apo qoftë për të drejtën e tyre për pronë, ku vetëm 12 përqind e grave kanë trashëguar pronë nga familja. Fajtor për këtë gjendje po konsiderohet edhe sistemi gjyqësor.
Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Iniciative për Drejtësi dhe Barazi, me ç’rast u bë publikimi i “Ndryshimit të ligjit për Familje, Pasuria e përbashkët dhe Mbajtja financiare”, ndryshime këto të cilat u bë e ditur se kanë hyrë në fuqi më 21 dhjetor të vitit të kaluar.
Drejtoresha Ekzekutive e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi, Luljeta Aliu tha se ndonëse numri i grave që shkollohet është mjaft i madh, kur vjen puna tek punësimi i tyre, ato diskriminohen dhe në pozita më të larta gjithmonë emërohen burrat.
Aliu u shpreh se mbi 60 përqind e grave ballafaqohen me dhunë sistematike dhe institucionale, dhe kjo ndodh për shkak të disa neneve që janë të parapara në Ligjin për Familje e që kjo shoqatë ka kërkuar që ato të ndryshohen.
Sipas saj vetëm 12 përqind e grave në Kosovë gëzojnë pronën.
“Kërkesa që kam kërkuar për ndryshimin e ligjit për familjen ka pasur për bazë që kontributi i bashkëshortëve në familje dhe në krijimin e pasurisë të përbashkët dhe pronës së përbashkët konsiderohet i barasvlershëm…vet ligji e ka paraparë këtë, por në praktikën gjyqësore ka ndodhur korruptimi i ligjit, sepse nuk është interpretuar asisoj sepse fjala punë dhe kontribut në ligj përdoren si sinonime, ndërsa në praktik gjyqësore kontributin e kanë parë jo bash punë, pak ma pak se punë si kontribut që pak i ka ndihmuar krijimit të pasurisë të përbashkët ia ka lehtësuar krijimin e pasurisë së përbashkët, mirëpo nuk e kanë vlerësuar si të barabartë edhe nuk e kanë vlerësuar vlerën punës në shtëpi të grave të jetë aq e vlefshme sa shuma monetare të cilin e sjell njëri bashkëshort në shtëpi, ky ka qenë gabimi i parë“, ka thënë Aliu.
Edhe mënyra se si gjyqësori e ndan pasurinë për gruan dhe fëmijën pas ndarjes nga bashkëshorti e bën gruan të ketë situatë të vështirë ekonomike.
Problematike ajo e ka konsideruar mos ndëshkimin e personave të korruptuar brenda gjyqësorit në Kosovë, sipas e të cilës thellohet diskriminimi ndaj femrave në Kosovë.
“Bazamenti i krejt shtetit është drejtësia. Ne problemet më të mëdha i kemi në sistemin e drejtësisë edhe aty më vjen keq me thënë është çerdhja e korrupsionit këtë e dimë të gjithë. Kështu që unë po besoj që duhet me i ndryshua gjyqësorin …me u ndëshkua njerëzit me pasje në emrat, pse mos me u publikua emrat, pse mos me u shkarkua, pse mos me iu marr licenca, njerëzit të cilët korruptohen vetëm i ndërrojnë vendet e punës, ose ngriten në detyrë kështu që ky është një sistem që nuk duhet me vazhdua”, ka thënë ajo.
E, kryetarja e Komisionit për Legjislacion dhe Mandate, Albulena Haxhiu gjatë kësaj tryeze dha lajmin e gëzueshëm për gratë se ndryshimet e kërkuara nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi tashmë kanë hyrë në fuqi.
Duke mos dashur që të flas shumë për sistemin e drejtësisë për të cilin tha se ka shumë probleme, Haxhiu potencoi përveç gjyqësorit, edhe noterët e kryesisht ato femra janë duke bërë shkelje derisa nuk po i njoftojnë si duhet gratë me pasojat e heqjes dorë nga prona.
Haxhiu e cila është edhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje tha se mendësia patriarkale ndikon në diskriminim të grave, dhe si shembull më të keq të diskriminimit në punësim përmendi qeverinë aktuale ku tha se prej 21 udhëheqësve vetëm dy prej 2 janë gra.
“Për ata që heqin dorë nga trashëgimia kërkohet që të mbahet një seancë e veçantë ku noteri i tregon në këtë rast gruas apo mund të jetë edhe burrë pasojat e heqjes dorë nga trashëgimia, i tregon që nëse heq dorë nga trashëgimia nuk mund ta kthej atë dhe çka ka ndodhur kjo ka shkuar tek noterja gjegjësisht edhe ia ka bërë nënshkruaj këtë u pa u plotësuar kushtet paraprake. Është goxha e rëndë kur kupton që kjo vjen edhe nga vetë noteret gra kur do të duhej të siguroheshin që ato i dinë të gjitha procedurat ligjore dhe të gjitha të drejtat e tyre, kjo është shkelje e detyrimeve që kanë përball ligjit”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, Jo-Anne Bishop nga UNMIK tha se dhuna ekonomike është problem global dhe se në Kosovë ky problem është më i theksuar për shkak të shkallës së papunësisë dhe shkallës së ulët të pronësisë që gëzojnë gratë.
Ajo tregoi edhe arsyet se pse si Kombe të Bashkuara e kanë përkrahur këtë iniciativë për ndryshimin e ligjit të familjes.
“Arsyeja e parë është sepse kjo do të ndihmoj të përputh me standardet ndërkombëtare dhe standardet e trashëgimisë që i referohen edhe dhunës ekonomike, duke mos i përmendur standardet tjera. Arsyeja tjetër është se kjo do të ndihmoj në mënyrë të drejtpërdrejtë për të zvogëluar dhe për të parandaluar rastet e dhunës në familje duke siguruar që gratë të kanë mjete ekonomike për tu larguar nga situata abuzive”, ka thënë Bishop.