Site icon Telegrafi

Diskriminimi i banorëve shqiptarë në Graçanicë, Avokati i Popullit: Rasti është në procedurë të hetimit

Banorët shqiptarë në Komunën e Graçanicës kanë shprehur shqetësimin rreth diskriminimit nga ana e komunës, pasi që thuhet se po aplikohen standarde të dyfishta si i përket zbatimit të një rregulloreje për pajisjen me leje të ndërtimit.

Shqetësimet e banorëve i ka shprehur javë më parë edhe zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi.

Gashi në një intervistë për Telegrafin ka thënë se neni 36 i rregullores së miratuar në vitin 2018 po aplikohet vetëm për banorët shqiptarë.

Lexo po ashtu Komuna e Graçanicës me standarde të dyfishta, Gashi: Shqiptarët po përjashtohen nga lejet e ndërtimit  

Sipas tij që nga viti 2018 e deri më tani nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi për banorët shqiptarë të Komunës së Graçanicës.

“Në nenin 36 të kësaj Rregullore parashihet që secila parcelë që është me destinim për ndërtim e që pronari i asaj parcele dëshiron të ndërtojë, ajo parcelë do duhet të ketë qasje direkte në rrugë publike, e që në këtë rast Komuna është i vetmi autoritet publik, i cili e bën një rrugë publike ose jopublike”, ka thënë Gashi.

Për këtë problematikë ai njoftoi se ka parashtruar kërkesa edhe në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe tek Avokati i Popullit, për të cilin thotë se janë në pritje të një raporti final.

Telegrafi ka kontaktuar me zyrën e Avokatit të Popullit për të parë se nëse është gati raporti të cilin e përmendi zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës.

Në një përgjigje me shkrim nga Avokati i Popullit, është thënë se rasti është në ende në hetim.

“Rasti në fjalë është në procedura të hetimit dhe për të gjitha veprimet e ndërmarra njoftohet pala ankuese”, ka deklaruar për Telegrafin, Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim në institucionin e Avokatit të Popullit.

Lexo po ashtu Banorët shqiptarë në Graçanicë, letër Avokatit të Popullit, Institucioneve dhe Ambasadave: Jemi të diskriminuar dhe të shkelur nga komuna

Zëvendëskryesuesi Gashi ka paralajmëruar se për këtë çështje së shpejti do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Banorët shqiptarë të Graçanicës i ishin drejtuar me letra Avokatit të Popullit, Presidencës, Kryeministrisë e Ambasadave edhe para një viti, ku kishin shprehur shqetësimet për diskriminim nga ana e komunës. /Telegrafi/

Exit mobile version