Dhjetë persona pësuan lëndime kur një shkallë lëvizëse u përfshi nga flakët në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy – mëngjesin e së mërkurës.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Terminali 8 duhej të evakuohej përkohësisht dhe disa fluturime ndërkombëtare u ndikuan nga ky incident.
Zyrtarët e aeroportit thonë se terminali që atëherë ka rifilluar funksionimin normal, por udhëtarët duhet të kontrollojnë gjithmonë linjat ajrore për statusin e tyre të fluturimit.
Terminali 8 strehon disa transportues ndërkombëtarë, duke përfshirë American Airlines, British Airways, Cathay Pacific, China Southern, Finnair, Iberia, Japan Airlines, Level, Qantas, Qatar Airways dhe Royal Jordanian.
Autoritetet kanë thënë se zjarrfikësit iu përgjigjën menjëherë pas orës 7 të mëngjesit ndaj raportimeve të tymit dhe gjetën një shkallë lëvizëse të përfshirë nga zjarri.
Terminali 8 u evakuua për shkak të kushteve të tymit dhe 990 persona u dërguan me autobus në një terminal tjetër, thanë zyrtarët e aeroportit.
Udhëtarja Elena Delgado tregoi për CBS New York se ajo po priste fluturimin e saj për në Teksas në portë kur filloi kaosi, pasi udhëtarët prisnin udhëzimet nga stafi i aeroportit.
Shkaku i zjarrit është ende nën hetim. /Telegrafi/