Telegrafi

Disa prej anësorëve më të shpejtë në botë kanë vuajtur përballë Albas, por Soler e la në hije mbrojtësin e Barcës

Jordi Alba (Foto: Getty Images/Guliver/Twitter)

Barcelona e fitoi titullin e La Ligas në mënyrë komode, mirëpo sezoni i katalunasve përfundoi në mënyrë zhgënjyese, pasi dështoi në finale të Kupës së Mbretit, teksa paraprakisht ishte eliminuar nga Liga e Kampionëve.

Për herë të parë që nga sezoni 2013/2014, Balugranët dështuan ta fitonin Copa del Rey, pasi në finalen e zhvilluar në Benito Villamarin pësuan nga Valencia (2-1).

Lexo po ashtu Valencia fiton Kupën e Mbretit, mposht Barcelonën në finale

Me mungesat e Luis Suarez dhe Ousmane Dembele, për shkak të lëndimeve, Ernesto Valverde e nisi ndeshjen me Sergi Roberto në krahun e djathtë, Lionel Messin si nëntë fals dhe Philippe Coutinhon në anën e majtë.

Trajneri i Barcës e kishte në dispozicion katërshen më të mirë të mbrojtjes, mirëpo Jordi Alba, i cili zakonisht njihet për shpejtësinë e tij, u mposht në një garë vendimtare na rastin e golit të dytë të Los Che.

Në minutën e 33-të, lojtarët e Valencias e dërguan një top në krahun e djathtë duke i vënë në një përballje të drejtpërdrejtë shpejtësie, 30-vjeçarin Jordi Alba dhe 22-vjeçarin Carlos Soler.

Me gjithë përpjekjet, mbrojtësi i Barcelonës nuk arriti që ta fitonte duelin e shpejtësisë me kundërshtarin e tij, i cili më pas harkoi te Rodrigo dhe ky i fundit shënoi me kokë. /Telegrafi/