Site icon Telegrafi

Disa organizata joqeveritare e dorëzojnë peticionin në MIA kundër deponisë së hirit të KEK-ut

Janë 32 organizata joqeveritare të cilat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit sot kanë dorëzuar peticionin “Mos na helmoni” kundër deponisë së hirit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Është fjala për deponinë që është krahasuar me ishullin Maldive, e cila u bë atraksion për shumë qytetarë gjatë kohës së pandemisë.

Avdyl Gashi, iniciator i peticionit, tha se kjo deponi po e rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin dhe përkundër kësaj, KEK-u dhe MIA nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për rrezikun.

Derisa i ka shpalosur disa nga kërkesat, Gashi tha se ky peticion përkrahet nga 32 OJQ dhe rreth 400 qytetarë.

“Një prej kërkesave është që të vendosen masat mbrojtëse që të pengohet kontakti i qytetarëve me atë liqen. Pika tjetër është që ky liqen të ngjyroset me ngjyrë të zezë, e cila do të ulte atraksionin për njerëzit në këtë liqen dhe që të vendosen shenjat e rrezikut .Liqeni ka nevojë për hapa shumë më drastikë në mënyrë që të revitalizohet gjendja. Ne si qytetarë kemi kërkuar disa hapa më bazikë, në mënyrë që të mbrohet jeta e qytetarit. Këtë peticion e kanë përkrahur 32 organizata të shoqërisë civile jo qeveritare dhe rreth 400 qytetarë“, tha ai.

Egzona Shala nga Rrjeti i Organizatave Mjedisore, tha se PH-ja e lartë në këtë depo të hirit, e cila është e mbushur me ujë dhe duket si liqen, absorbohet lehtë dhe shkakton ndotje të madhe.

Lexo po ashtu Sot dorëzohet peticioni “Mos na helmoni” kundër deponisë së hirit të KEK-ut

“PH12 nuk preferohet të bie në kontakt me lëkurën për shkak se shkakton irritime në sy dhe pjesë të jashtme të trupit. Mirëpo, për shkak të efekteve të PH të lartë, e cila është përqendrim i joneve të hidrogjenit, nuk ka asnjë gjallesë në atë zonë duke filluar nga bakteret e deri te bimët dhe shtazët tjera. Uji absorbohet lehtë nga toka…Ka forma dhe mënyra shumë të thjeshta të cilat mund të rikthehen në gjendjen e mëparshme. Kjo ndotje e cila është duke iu shkaktuar vendit tonë, fatkeqësisht është duke u përdorë për rekreaksion”, u shpreh Shala.

Shala, e cila është edhe ekologe, tregoi një mënyrë se si do të mund të zgjidhej ky problem.

“Janë impiantet e brendshme, të cilat jo domosdoshmërish kalojnë në dhe në hapësirën e tokën, në rast se krijohen impiantet organike atëherë përmes avullimit largohen i gjithë hiri apo mbetjet organike, të cila i liron KEK-u. Me anë të kombinimit me ujë dhe avullimi ato përsëri rikthehen dhe si mbetje të ngurta lokalizohen shumë lehtë”, tha ajo.

Kjo deponi e hiri ekziston nga viti 2006 kur Korporata Energjetike e Kosovës vendosi të zëvendësojë sistemin e vjetër të asgjësimit të hirit, i cili përbënte një kërcënim për shëndetin publik. /KP/

Exit mobile version