Site icon Telegrafi

Disa mendime për llojin poetik haiku

Nga: Nasho Jorgaqi

Në historinë dhe praktikën e poezisë botërore nuk besoj të ketë zhanër poetik më të shkurtër dhe më lakonik se ai që njihet tanimë me emrin haiku (hajku). Është një “këngë” që këndohet brenda kufijve të 2-3 vargjeve. E pra, kjo këngë kaq origjinale sa delikate dhe nazike erdhi në universin e poezisë nga Japonia e largët, ku pat lindur në shekullin XVII dhe njohu si at të saj një poet të madh siç qe Matsuo Basho (1644-1694).

Në pendën e Basho njohu kulmin e bukurisë e të origjinalitetit sa fitoi statusin dhe integritetin e një poezie krejt të pavarur që e njeh dhe e çmon lart gjithë bota letrare. Ajo u përftua si e tillë mbi bazën e një koncepti artistik origjinal dhe të një poetike të veçantë.

Nuk ishte vetëm konciziteti, mjetet e kursyera. shprehëse por dhe përmbajtja krejt origjinale, fryma dhe gjendja shpirtërore që haiku rrok e përcjell ndjeshmërinë e lartë dhe delikat raportit shpirtëror që vendoset në mes poetit me natyrën dhe mjedisin, zgjimi emocional i vetvetishëm. Nëpër filtrin e vargut, poeti kumton gjithë ndjenjat e tij, dashurinë, urrejtjen, gëzimin e dhembshurinë, trishtimin dhe ngazëllimin. Dhe këto përqendrohen te vetja njerëzore me një frymë intimiteti dhe një mistikë të veçantë. Dhe kjo e bën haikun poezinë e vetmisë, e vetjes së dytë të njeriut që e percepton dhe përjeton botën nga këndvështrimi origjinal.

Haikut e Bashos janë “miniatura lirike” tek të cilat lexuesi zbulon mikrokozmosin plot bukuri dhe mençuri njerëzore. Duke vënë në qendër njeriun me sfond të përhershëm natyrën, poeti operon dhe komunikon me elementë të florës dhe të faunës, me diellin, hënën, qiellin, me tokën, me ditën dhe natën, me detin dhe lumin, me retë dhe erën, me shiun dhe borën që zgjojnë meditime dhe ndjesi nga më të ndryshmet. Haiku krijoi një shkollë aq të suksesshme sa ai është bërë një fenomen letrar i përbotshëm duke u lëvruar në të gjitha letërsitë e të tërë vendeve, ku shoqata të veçanta e lëvrojnë me sukses hajkun, botohen revista dhe studiohen në shkollë dhe bëhet objekt studimi gjithandej.

Hajku tanimë ka disa dekada që ka hyrë dhe në Shqipëri dhe lëvrohet suksesshëm nga poetët shqiptarë. Pionieri i saj i parë është poeti Betim Muço, i cili duke qëndruar për studime në Japoni si sizmolog u njoh e u dashurua pas haikut. Filloi të përkthejë në shqip haike japoneze dhe të krijojë vetë ato të cilat i botoi në shtypin letrar shqiptar. Ai u ngjiti nga poetëve tanë dhe nga penda e tyre lindi hajku shqiptar. Atë e lëvruan poetë të shquar si D. Agolli, I. Kadare, F. Arapi, M. Zeqo, A. Podrimja, H. Alija, B. Mustafai etj. Po vatra u bë Elbasani, ku nën kujdesin dhe pasionin e poetit Milianov Kallupi u krijua shoqata e poetëve të haikut dhe u botua një revistë e posaçme me to. Me to u botuan dhe vëllime nga autorë të ndryshëm duke përfshirë dhe autorin e këtyre radhëve prej të cilit gazeta Dita po boton një cikël hajkush nga libri i tij i fundit.

S’iu besova syve kur pashë një ditë
Tek grindeshin dy pëllumba sipër ullinjve
Shpendët paqësorë mbi drurët e paqes

****

Kur çel buzëqeshja e jote
Si shegë e ndarë në mes
Të dy sytë më shkreptijnë

*****

Ky lis i kërrusur i pamoshë
Me degët e afruar tokës
Ka mbajtur peshën e kohës

****

Nga dritarja e syve të tu
Unë hyra tek ty
Për të mos dalë më

*****

Më mirë të flas me hijen time
Se të përrallis me ty
Në një distancë boshe.

*******

Është e dhimbshme kjo që thonë
Se vdekja e vërtetë e njeriut
S’është vdekja e tij, por harrimi.

*****

Ah, kjo pleqëria gjithë rrudha
S’janë gjë ato të trupit
Pas rrudhave të shpirtit.

****

Ta dish njëherë e mirë
Se nga gjithë armiqtë e dashurisë
Asaj që i trembem është monotonia.

****

Me zërin e saj të bukur
Këndonte për të tjerë
Po zemra këndonte veç për të.

*****

Pas shumë vitesh kaluar
U shkëmbyem te një urë
Me zë të shuar

****

Iku djemuria në kurbet
Dashuria mbeti jetime
Pleqtë rreth vatrës psherëtinë.

Exit mobile version