Data 5 mars e vitit 2014 është e paharruar, ku në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, Kombëtarja e Kosovës luajti ndeshjen e parë miqësore me leje të FIFA-s, por me fusnotë.
Në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë nuk kishte asnjë vend të lirë, pasi ishte i stërmbushur dhe Dardanët luajtën një ndeshje fantastike ndaj Haitit duke krijuar disa raste shënimi, megjithatë ndeshja përfundoi baras 0-0.
Kjo ndeshje, e cila u zhvillua nën patronatin e FIFA-s, hapi rrugën e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.
Që atëherë, futbolli ynë ka bërë hapa gjigantë përpara, si pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s që nga maji i 2016-s, duke frymëzuar breza të rinj për të ndjekur ëndrrat e tyre.
Trajner i Kombëtares në atë kohë ishte Albert Bunjaku, derisa sot 11 vite pas atij takimi Telegrafi raporton për 11 futbollistët që e nisën ndeshjen nga minuta e parë, por edhe për zëvendësuesit.
Ka nga ata që janë ende aktiv, por disa kanë nisur karrierë në zejen e trajnerit dhe disa kanë marrë pozita drejtuese në klube ose federata.
11-shja startuese e Kosovës kundër Haitit:
Samir Ujkani – Ishte në portë, derisa tani është pensionuar pas një karriere të shkëlqyer. Ujkani është zëvendës drejtor në Kombëtaren e Kosovës.
Fanol Përdedaj – Ishte në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Perdedaj vazhdon të jetë futbollist aktiv, por ka një vit që ka mbetur pa klub. Ai ka bërë karrierë kryesisht në futbollin gjerman.
Loret Sadiku – Luajti në qendër të mbrojtjes. Sadiku ishte shumë i rëndësishëm te Kombëtarja e Shqipërisë, por u largua dhe erdhi te Kosova. Qendërmbrojtësi vazhdon të jetë aktiv në moshën 33-vjeçare dhe luan për skuadrën turke Adanaspor.
Avni Pepa – Ai ishte një mbrojtës shumë i rëndësishëm me karrierë të gjatë në futbollin skandinav. Pepa është pensionuar në vitin 2021, derisa tani ushtron zejen e menaxherit të futbollistëve.
Kristian Nushi – Me një karrierë të gjatë në futbollin zviceran, Nushi ka luajtur deri në 39 vjeçare, por në vitet e fundit kryesisht në kategori të ulëta në futbollin zviceran, pasi më parë për disa vite veshi fanellat e Wil, Aara, St Gallen dhe Winterthur.
Anel Rashakaj – Ishte kapiten i Dardanëve në ndeshjen e parë historike. Rashkaj ka qenë i grumbulluar vazhdimisht nga Kombëtarja e Kosovës deri në vitin 2020. Ish-mesfushori prizrenas tanimë është pensionuar dhe sapo është emëruar si ndihmës trajner në Kombëtaren e Kosovës U19.
Enis Alushi – Ai ka pasur një karrierë të pasur në futbollin gjerman, por në vitin 2018 u pensionua. Pas asaj kohe Enis Alushi është marrë me menaxhim të futbollistëve. Tani ish-mesfushori i Kosovës është drejtor sportiv te skuadra gjermane BFC Dynamo.
Ardian Gashi – Ai ka qenë një mesfushor që ka luajtur edhe për Kombëtaren A të Norvegjisë, por në fund u largua për të luajtur me Dardanët. Gashi ka bërë karrierë të madhe në Norvegji, derisa katër vite i kaloi edhe te Helsingborgs në Suedi. Në vitin 2019 Gashi u pensionua nga futbolli dhe tani nuk ka ndonjë post aktiv në sportin më të bukur në botë.
Shpëtim Hasani – Sulmuesi gjilanas kishte dalë nga futbolli kosovar ku ishte shpallur kampion me Dritën. Hasani ka bërë karrierë edhe në Turqi dhe Poloni, derisa në vitin 2020 u pensionua dhe vazhdon jetën e tij në Suedi.
Albert Bunjaku – Një karrierë e shkëlqyer për sulmuesin gjilanas i cili ka luajtur gjatë në futbollin gjerman, por edhe për Kombëtaren e Zvicrës. Bunjaku është asistent trajner tek skuadra e të rinjve të Bayer Leverkuseni, derisa tani ka marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës U19.
Ilir Azemi – Ishte i destinuar të bënte një karrierë të madhe. Në atë kohë sulmuesi shtatlartë shënonte vazhdimisht në Bundesliga 2, e më vonë edhe në Bundesliga me fanellën e Greuther Furthit. Megjithatë pas një aksidenti të rëndë me makinë, ai nuk arriti më kurrë formën më të mirë. Azemi luajti për disa vite edhe në nivele të ulëta të futbollit gjerman dhe në vitin 2020 është pensionuar nga futbolli. 33-vjeçari vazhdon jetën tani në Gjermani me familjen e tij.
Futbollistët e inkuadruar në lojë:
Zymer Bytyqi – Në atë kohë ishte vetëm 16-vjeçar dhe pjesë e gjigantit austriak Red Bull Salzburg. Bytyqi vazhdon të jetë aktiv në futboll ku është pjesë e gjigantit bullgar CSKA Sofja si dhe pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës.
Liridon Krasniqi – Mesfushori ofensivë ka bërë karrierë të gjatë në Malajzi, ku më vonë luajti edhe për Kombëtaren e këtij shteti. Ai tani është pjesë e skuadrës zvicerane Schaffhausen.
Lum Rexhepi – Qendërmbrojtësi ferizajas bëri karrierë të gjatë në futbollin skandinav, derisa një vit kaloi edhe te Go Ahead Egales në Holandë dhe një tjetër te Partizani në Shqipëri. Gjithsesi ai është pensionuar në vitin 2021 tek skuadra Japs në Finlandë dhe vazhdon jetën në këtë shtet.
Faton Toski – Mesfushori në atë kohë ishte pjesë e VFL Bochum në Bundesliga, ku më vonë vazhdoi karrierën edhe te FSV Frankfurt, Laçi e Perak në Malajzi. Toski u pensionua në vitin 2017 dhe tani vazhdon jetën në Gjermani.
Flamur Kastrati – Sulmuesi nga Deçani kishte një karrierë shumë interesante, pasi luajtu në futbollin gjerman, holandez dhe norvegjez. Në vitin 2023 ai është pensionuar te skuadra norvegjeze ODD, derisa vazhdon të jetë në këtë klub ku ka filluar zejën e trajnerit dhe është ndihmës trajner në ekipin e parë.
Në atë kohë të ftuar ishin edhe Alban Bunjaku (Sevilla), Bersant Celina (Manchester City), Julian Bibleka (Eintracht Frankfurt), Kushtrim Mushica (Prishtina), Enis Bunjaki (Eintracht Frankfurt) dhe Shkodran Metaj (Emmen). /Telegrafi/