Site icon Telegrafi

Diplomati amerikan, Countryman: Depërshkallëzimi në veri të bëhet me vepra

Thomas Countryman, një diplomat amerikan në pension me përvojë 35 vjeçare në këtë fushë, thotë se konfirmimi i depërshkallëzimit nuk është në fjalë – apo në pikat e marrëveshjes, por në veprimet e autoriteteve të Kosovës dhe komunitetit serb të Kosovës.

Ambasadori Countryman, i cili shërbeu në Ambasadën amerikane në Beograd në mesin e viteve ’80-ta të shekullit të kaluar, tha për “Zërin e Amerikës” (edicioni në gjuhën serbe) se është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të mundësojë shuarjen e tensioneve aktuale, të cilat ndikojnë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

“Nëse jo me tërheqje të plotë, atëherë të paktën duke kufizuar qasjen e pjesëtarëve të policisë speciale të Kosovës dhe lëvizjet që tregojnë një mirëkuptim e nevoj për pajtim politik dhe vendosjen e udhëheqjes legjitime në komunat në veri të Kosovës”, tha Countryman, transmeton Telegrafi.

Me këtë qëndrim diplomati amerikan ka reaguar ndaj indikacioneve të mundshme për fillimin e zbutjes së tensioneve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – pas bisedimeve të Bratislavës mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ndërmjetësuesit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim (Bratislavës) u arrit dakordimi që prania e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në katër komuna në veri të Kosovës të zvogëlohet për një të katërtën, si dhe që autoritetet e Kosovës të mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në komunat me shumicë serbe.

Countryman gjithashtu nënvizoi se nuk pajtohet me pretendimet, të cilat dëgjohen nga radhët e autoriteteve kosovare dhe një pjesë e opinionit, se bashkësia ndërkombëtare aplikon një lloj qasjeje më të butë ndaj Serbisë, për të ta heqë atë nga ndikimi i Rusisë.

“Brukseli dhe Washingtoni po përpiqen të zgjidhin çështjet e hapura në atë rajon. Një gjë e tillë nënkupton aplikimin e diplomacisë së qetë, ndonjëherë shumë të zhurmshme dhe të qartë. Unë kam mirëkuptim për një perceptim të tillë të realitetit, por ata që e bëjnë këtë nuk i kuptojnë arsyet që mund të motivojnë një qasje të tillë”, tha Countryman.

Diplomati amerikan foli në margjinat e debatit në Washington, të cilin Këshilli joqeveritar Atlantik e organizoi sipas rregullave të ‘chat house’ me anëtarë të sektorit civil dhe gazetarë nga veriu i Kosovës për mundësitë e de-përshkallëzimit.

Zbutja e tensioneve, sipas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka qenë temë e diskutimeve edhe me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, gjatë një simpoziumi kushtuar filozofëve grekë në Greqi. /Telegrafi/

Exit mobile version