Site icon Telegrafi

Diplomatët amerikanë paralajmëruan Bidenin: Shkaku i Gazës, po humbasim botën arabe për një brez të tërë

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka marrë paralajmërime të ashpra nga diplomatët amerikanë në botën arabe se mbështetja e saj e fortë për fushatën ushtarake shkatërruese dhe vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza po humbet “publikun arab për një brez të tërë”.

Kështu thuhet në një kabllogram diplomatik të cilën e ka siguruar mediumi amerikan, CNN.

Letra nënvizon shqetësimin e thellë të zyrtarëve amerikanë mbi zemërimin në rritje kundër amerikanëve që shpërtheu menjëherë pasi Izraeli nisi operacionet kundër Hamasit. Ky i fundit kishte organizuar një sulm më 7 tetor ndaj Izraelit, ku sipas zyrtarëve të Tel Avivit, mbetën të vdekur më shumë se 1400 izraelitë.

“Ne po humbasim shumë në luftën e informacionit”, shkruan në kabllogramin e Ambasadës amerikane në Oman, duke cituar biseda me “një gamë të gjerë kontaktesh të besueshme dhe intelektualë”.

Lexo po ashtu Shumë viktima, të plagosur, pengje dhe të zhvendosur - gjithçka ndodhi në 33 ditë, që nga fillimi i luftimeve izraelito-palestineze më 7 tetor

Mbështetja e fortë amerikane për veprimet e Izraelit perceptohet, paralajmëron kabllogrami, “si bashkëpunëtor për ato që ata i konsiderojnë krime të mundshme lufte”.

Kabllogrami i ambasadës u shkrua nga zyrtari i rangut të dytë amerikan në Muscat dhe iu dërgua, ndër të tjera, Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, CIA-s dhe FBI-së.

Megjithëse është vetëm një kabllogram nga një ambasadë, ai ofron një pasqyrë të qartë të rritjes së ndjenjave anti-amerikane në Lindjen e Mesme.

Një tjetër kabllogram i marrë nga CNN nga Ambasada e SHBA-së në Kajro i transmetoi Uashingtonit një koment të një gazete shtetërore egjiptiane se “mizoria dhe neglizhenca e presidentit Biden ndaj palestinezëve i ka tejkaluar të gjithë presidentët e mëparshëm amerikanë”. /Telegrafi/

Exit mobile version