Telegrafi

Dinari serb, Llugaliu: Ka pasur tentime që të futet nga Jarinja, por nuk është lejuar

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka thënë sot se që nga hyrja në fuqi e Rregullores së re të Bankës Qendrore nuk ka pasur hyrje të valutës së dinarit në Kosovë.

Llugaliu gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka thënë se asnjë lëvizje nuk mund të bëhet pa prezantuar autorizimin e BQK-së.

“Sa i përket importit të dinarëve, kemi pasur një elaborim për të trajtuar çështjen e ligjshmërisë të dinarit. Kemi pasur një studim të çështjes dhe kemi ngritur te BQK-ja. Rregullorja e BQK e ka rregulluar çështjen e bartjes së parasë për të gjithë operatorët. Me rregulloren e re është specifikuar. Tani as një lëvizje nuk mund të bëhet pa prezantuar autorizimin”, ka thënë ai.

Ai tha se ka pasur disa tentime që të fusin dinar në Kosovë, por nuk është lejuar.

“Dy raste që janë paraqitur në vendkalimin kufitar në Jarinjë, ne i kemi njoftuar që çfarëdo importi i parasë duhet të bëhet në përpikëri me Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Llagaliu. /Telegrafi/