Shefi i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina, kishte kaluar një ditë plot stres kur më 16 tetor, pasi kishte përfunduar punën, ishte ndalur nga dy persona në një rrugicë teksa po shkonte në banesë.
Njëri nga ta ishte Naim Sallahu, biznesmen, pronar i kompanisë “Sallahu”. Kjo kompani kishte fituar Lotin V të tenderit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, dhe i bënte presion dhe e kërcënonte që të takohej me Sami Lushtakun, që tenderi të mos anulohej.
Dina kishte shpëtuar nga ky kërcënim pasi aty kishte kaluar rastësisht një shok i tij, polic, i cili me tu ndalur me Dinën, kishte shkaktuar largimin e Sallahut dhe një personi tjetër, por kur kishte shkuar në banesë, ishte përsëri në ndjekje.
Zyrtari i shtetit që drejton sektorin e regjistrimit të veturave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shaban Lushtaku i kishte shkuar tek dera. Arsyeja ishte po ai tender i fituar nga “Sallahu”.
Sallahu dhe Lushtaku ishin arrestuar dy ditë më vonë, pasi Insajderi publikoi edhe pamjet ku Lushtaku shihet teksa hynë në kompleksin banesor të Dinës, dhe ishin ndalur 30 ditë në paraburgim.
Teksa Lushtaku dhe Sallahu kanë hyrë në javën e dytë të vuajtjes së paraburgimit, shefi i OSHP-së ka marrë vendimin për krejt tenderin e autostradës, përfshirë edhe Lotin V, të cilin e kishte fituar “Sallahu” me vlerë prej 21 milionë eurove.
Paneli Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim që të kthejë në ri vlerësim tenderin dhe kjo sipas Dinës, është një tregues i qartë se ai si drejtues i OSHP-së dhe vet institucioni, nuk bien pre e kërcënimeve e kanosjeve të tilla.
“Edhe përkundër të gjitha presioneve të formave të ndryshme, kërcënimeve, ju siguroj se OSHP do të jetë në shërbim dhe zbatim të ligjit”, ka thënë Dina për Insajderin.
Ai ka thënë se tash që OSHP e ka kryer punën e saj, pret që Ministria e Infrastrukturës ta kryej punën e saj.
“Presim nga AK-MI pasi që janë të obliguar me ligj që ta zbatoj vendimin e OSHP-së dhe komplet lëndën për të gjitha llotet ta kthej në rivlerësim”, ka thënë Dina.
Dina i cili në mars të këtij viti u zgjodh nga Kuvendi, kryetar i OSHP-së i tha Insajderit se një nga arsyet kryesore pse është anuluar i gjithë tenderi është se Ministria e Infrastrukturës ka dhënë tenderin kompanive që kanë ofruar çmime më të larta sesa të tjerat dhe shkelje të tjera të Ligjit të Prokurimit Publik.
Vet ministri Lekaj pati thënë para disa ditësh se nëse nga hetimet e bëra prej departamenteve përkatëse dhe nga OSHP-ja dalin përfundimet se ka pasur parregullsi, tenderi do të përmbyset.
Lekaj kishte thënë gjithashtu se procesi i tenderit është përcjellë nga fillimi me parregullsi e deri në fund, kur një ditë para se ai të vinte në krye të ministrisë, janë përzgjedhur operatorët më të përgjegjshëm në orën 23./Insajderi/