Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në një deklaratë për media para panelit të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Instituti për Politika Evropiane (EPI), ka komentuar kërkesat e fundit të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut.
Dimitrov tha se Bullgaria ende ka probleme me pranimin total të identitetit maqedonas, prandaj sipas tij dhe kërkesat bullgare janë të habitshme.
“Ne në Maqedoninë e Veriut nuk mund ta përfshijmë komunitetin bullgar në Kushtetutë me kërkesë të Bullgarisë, si Bullgaria për popullin shumicë apo për popullin maqedonas që flet maqedonisht! Bullgaria ende nuk është e qartë me identitetin maqedonas. Ne nuk i kërkojmë të njohë gjuhën tonë. Shtetet nuk i njohin gjuhët, por kanë për obligim të respektojnë të drejtën e vetë-shprehjes dhe vetëvendosjes së popullit maqedonas. Çfarë bëri Greqia me Marrëveshjen e Prespës? Problemi i këtij propozimi është i pari që nuk e zgjidh problemin maqedono-bullgar sepse mohimi ende ekziston. Derisa Bullgaria ta braktisë atë agjendë për të na mohuar identitetin, ai problem nuk do të zgjidhet dhe ne nuk mund ta mbyllim çështjen me Bullgarinë”, tha Dimitrov.
Ish-ministri vazhdimisht ka kritikuar kërkesat bullgare drejtuar shtetit të Maqedonisë, ai madje ka kritikuar dhe dilomacinë e Maqedonisë e cila sipas tij nuk e ka mbrojtur interesin shtetëror.