Telegrafi

Dimitrov: Kërkojmë përkrahjen e Evropës për të krijuar demokracinë tonë evropiane

Në një intervistë për ‘Sky News’, Ministri për punë të jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov u shpreh se Maqedonia, Bashkimin Evropian e sheh si një klub shtetesh për të cilët sundimi i ligjit është i rëndësishëm, mediat janë të lira dhe mekanizmat për kontrollin e pushtetit funksionojnë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

I pyetur pse Maqedonia dëshiron të anëtarësohet në BE dhe çka mund të bëjë Britania e Madhe në lidhje me këtë, Dimitrov tha se në një kohë kur bota bëhet më e paparashikueshme, besojmë se do të jemi më të sigurtë për ardhmërinë tonë nëse jemi pjesë e BE-së.

“Ata që janë brenda, shpesh harrojnë se sa ftohtë është jashtë. Në Londër jam për të marrë përkrahjen nga demokracia më e vjetër në botë sepse unë besoj se ka një të ardhme me shpresë për vendin tim. Ne arritëm të dalim nga një krizë e thellë morale si më të fortë dhe më të pjekur. Kemi vendosmëri dhe përkushtim për të krijuar një demokraci të vërtetë evropiane dhe për këtë shkak unë udhëtoj në shtetet me demokraci të vendosur në Evropë për të fituar përkrahjen e tyre”, tha Dimitrov në intervistën për ‘Sky News’.

Sipas tij, për ballafaqim me problemet e mëdha, duhet të veprohet si një, qoftë kjo për krizën me refugjatët, ndryshimet klimatike ose terrorizmi.

“Për këtë shkak besojmë se Ballkani do të jetë vend më i lumtur nëse është pjesë e BE-së”, tha Dimitrov./Telegrafi/