Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nga Konventa e LDK-së e 28 majit, u pati kërkuar votën e deputetëve të LDK-së për demarkacionin me Malin e Zi, për të cilën gjë është i sigurt se do të ndodhë para pushimeve verore. Por, këtë nuk e di shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, raporton KTV.
Ai për KohaVisionin ka thënë se nuk kanë diskutuar si Grup Parlamentar për këtë punë dhe nuk e dinë nëse shpejt mund të finalizohet në Kuvend çështja e demarkacionit.
Grabovci nuk e di as nëse do të ketë seancë të re plenare këtë javë dhe ka thënë se nuk ka ftesë deri tash për takim me kryesinë.
Por, opozita e di sigurt se do ta kundërshtojë fuqishëm këtë proces.
Vetëvendosje planifikon që sërish t’u kthehet protestave në rrugë e kundërshtimit në Kuvend që ta parandalojë ratifikimin e demarkacionit, kusht ky tashmë i vënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Këtë e thotë edhe Valdete Bajrami e Nismës për Kosovën. Ajo ka thënë për KTV-në se pavarësisht se kush do të organizojë protestë, ata do t’i bashkohen.
Ndërkohë, analisti Albert Krasniqi ka thënë se ka një disponim, sidomos nga LDK-ja, që kjo marrëveshje të kalohet në mënyrë të njëanshme në Kuvend, duke e anashkaluar tërësisht opozitën. Por, sipas tij, tashmë kanë ndryshuar edhe deklaratat e PDK-së.
Ndryshe, për të martën ishte planifikuar të mbahej një takim i komisionit për integrime evropiane me kryetarin e komisionit shtetëror për demarkacion, Murat Meha. Ky takim është anuluar e anëtarë të komisionit i kanë thënë KTV-së se nuk kanë dhënë ndonjë arsye, por mund të jetë mungesa e disa anëtarëve të komisionit, të cilët janë jashtë vendit.