Raportimet për kosovarët e vrarë në Siri si pjesë e organizatave terroriste, policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me vërtetësinë e vrasjes së tyre. Dyshimet ekzistojnë se ata kanë falsifikuar vrasjet e tyre në mënyrë që t’u iket ndjekjes së autoriteteve pas kthimit të tyre në Kosovë.
Lajmi i bujshëm për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit në Siri apo i njohur ndryshe me emrin Abu Abdullah al Kosova, ka ngjallur reagime të ndryshme në vendin tonë. Por, për autoritetet e sigurisë dhe ekspert të kësaj çështje ky lajm mund të jetë edhe i rremë.
“Bazuar në procedurat ligjore të gjithë kosovarët që kanë udhëtuar dhe janë përfshirë në zonat e konfliktit ndaj tyre zhvillohen hetime dhe asnjë person nuk mund t’i ikë përgjegjësisë penale sipas ligjeve në fuqi. Policia e Kosovës nga burime të ndryshme ka informacione lidhur me vrasjen e disa shtetasve kosovarë, në rastin konkret edhe të dy personave në fjalë . Mirëpo referuar situatës në Siri dhe zonat e konfliktit, Policia e Kosovës nuk posedon dokumentacion apo informacion zyrtar për vrasjen e tyre. Megjithatë, lidhur me çështjen janë duke u grumbulluar informacione”, thuhet në përgjigjën e policisë së Kosovës dhënë për Indeksonline.
Ndërkaq, eksperti i fushës së sigurisë profesor Avni Islami ka thënë se lajmet që vijnë nga Lindja e Mesme, për vrasjen e luftëtarëve të ISIS e të cilat ato informata i plasuan edhe familjaret e tyre, dyshimet ekzistojnë se sa janë të sigurta ato informacione.
“Përderisa një informacion nuk vërtetohet nga institucionet përgjegjëse te shtetit, pra qoftë të shtetit ku zhvillohen luftimet apo edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës, unë shpreh dyshimet e mia se këto lajme shume lehtë mund të mos janë të sakta. Madje unë shpreh dyshime se mu në këto momente kur dikush shpallet i vdekur të kemi kujdes të shtuar, sepse praktika e ndryshme na kanë mësuar se shpesh herë kur janë shpall të vdekur për qëllime të caktuara ma vonë del të zbulohet e vërteta”, ka thënë ai.
Njohësi i çështjeve të sigurisë ka shtuar se duhet pasur kujdes jo vetëm Kosova, por i tërë Ballkani. E sidomos të jenë të kujdeshme shërbimet inteligjente. Të përcjellin, vëzhgojnë dhe të mbahen nën kontroll të gjithë ata dyshuar për terrorizëm.
“Nuk duhet te injorohet situata pas humbjeve të panumërta qëka pësuar ISIS-i. Ata tash janë të shpërndarë dhe mund të ketë edhe në Kosovë, e të cilët mund të organizojnë ndonjë sulm e sidomos kundër ndërkombëtarëve që janë prezent në Kosovë”, ka thënë Islami.
Policia e Kosovës gjithashtu ka konfirmuar se është duke bërë përpjekje që të vërtetojë raportimet e djeshme në media rreth vrasjes së një kosovari në luftimet në Siri.
Kosovari 29 vjeçar Blerim Podvorica raportohet ta ketë vrarë veten, derisa me veturën e tij të mbushur me eksploziv, sulmoi një turmë ushtarësh të Assadit në Tedmur të qytetit perëndimor të Sirisë, Homs./Indeksonline/