Telegrafi

Dijon Kameri fillon shkëlqimin te Salzburgu, gol dhe asistim në fitoren e thellë si mysafirë

Dijon Kameri ka gjetur golin e tij të parë me fanellën e gjigantit austriak Red Bull Salzburg.

Kampioni në fuqi i Austrisë ishte mysafirë i Austria Lustenau dhe fitoi me rezultat të thellë 0-6.

Talenti nga Kosova, Dijon Kameri u fut në lojë në minutën e 67-të dhe menjëherë la gjurmë.

18-vjeçari fillimisht asistoi në minutën e 78-të për Adamu që shënoi për 0-5.

Ndërkohë mesfushori ofensivë gjeti golin e parë në Bundesligën austriake në minutën e 82-të kur realizoi për rezultatin përfundimtar 0-6 në të mirë të skuadrës së tij.

Kjo ishte paraqitja e dytë e Kamerit në Bundesliga me Salzburg, derisa ai pas ndeshjes u shpreh shumë i lumtur me golin dhe asistimin e arritur.

“Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme kur topi ishte në gol, ishte e mrekullueshme, e mrekullueshme”, tha Kameri për faqen zyrtare të klubit.

“Ndihem shumë mirë, skuadra më priti mirë dhe jam i lumtur. Fakti që munda të festoja me tifozët ishte vërtet e mrekullueshme dhe nuk do ta harrojë kurrë”, deklaroi Kameri.

Këtu mund t’i shihni të gjitha golat e ndeshjes, përfshirë edhe atë të Kamerit. 

Kameri konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj në futbollin austriak, derisa ai është pjesë e Kombëtares së Austrisë për grupmoshat nën 18 vjeç. /Telegrafi/