Site icon Telegrafi

Dijetari Stavro Skëndi

Nga: Violeta Murati

“Janë të rrallë ata studiues që mund ta thurin një tematikë të tillë kaq të larmishme në një ind të vetëm”, është një ndër fjalët që Cyril E. Black, drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare, në Universitetin Princeton në Nju-Xhersi, përmend në prill të vitit 1980 duke vlerësuar studiuesin shqiptar, Stavro Skëndin, në vitet 1940 emigron dhe vdes jashtë vendit, duke e parë qysh në fillim si tragjedi vendosjen e komunizmit në Shqipëri dhe duke u krijuar një armiqësi personale me diktatorin Enver Hoxha. Skëndi, i njohur si ekspert kryesor për vendet e lindjes, aty ku u instalua komunizmi, u kthye në një pikë referimi për çdo dijetar në botë që merret si me çështjet shqiptare dhe ato ballkanike.

Në fakt, Stavro Skëndi konsiderohej në të gjallë dekani i studimeve ballkanike në ShBA. E, megjithatë, ndoshta pikërisht për faktin që nuk shkroi në shqip, deri më sot në Shqipëri, Stavro Skëndi, fatkeqësisht ende s’njihet e s’vlerësohet sa ç’duhet.

Skëndi ka lindur më 20 gusht 1906 në Korçë, ku ndoqi mësimet fillore dhe të mesme. Pas përfundimit në studimeve në shkollën e Korçës, atij iu dha një bursë studimi në “Robert College”, një shkollë e financuar nga amerikanët në Stamboll, ku diplomohet në vitin 1928. Kur kthehet në Shqipëri, punon fillimisht në institucionet tregtare të Vlorës dhe, më vonë, në Liceun e Korçës.

Në vitin 1930 iu dha një bursë shtetërore për të marrë pjesë në kurset e shkollës së studimeve ndërkombëtare, në Universitetin e Gjenevës. Në këtë periudhë, ndryshe nga bashkatdhetarët e tij, pasi përfundoi studimet, Stavro Skëndi u kthye në Shqipëri dhe rifilloi të jepte mësim në shkollën e Korçës. Ai ishte i bindur se përgatitja e një grupi njerëzish të rinj të shkolluar, janë thelbësore për zhvillimin ekonomik, social e kulturor të vendit. Në kontekstin politik të viteve ’30-të të shekullit të kaluar, ai u bë mbështetës i reformave në rrugën evolucionare, sesa revolucionare. Në këtë periudhë ishte thellësisht i shqetësuar për ndikimin italian në rritje në Shqipëri.

Edhe pse një pjesë të mirë të kohës i dedikohet nxënësve, për të rritur njohuritë dhe aftësitë e tyre intelektuale, Skëndi merr pjesë në mënyrë aktive në biseda dhe debate rreth politikës dhe kulturës. Njohuritë e tij përfshinin lexime nga shumë fusha, si histori, letërsi, filozofi dhe shkenca shoqërore. Përveç kësaj, kishte njohuri të zgjeruar nga gjuhët e huaja. Studentët të cilët konsideroheshin me fat të ishin studentët e tij, në vitet 1930 e admironin Skëndin për profesionalizmin, humanizmin dhe patriotizmin.

Me pushtimin italian të Shqipërisë në 1939, Stavro Skëndi u bashkua me lëvizjen patriotike kundër regjimit fashist. Së bashku me patriotë të tjerë u arrestua dhe u izolua në ishullin Ventotene në Itali, ku qëndroi deri në 1941. Pas Ventotenes u kthye në shtëpi dhe mori kontakt me lëvizjen e rezistencës brenda radhëve të Frontit Kombëtar (Balli Kombëtar). Më 1943 e la vendin me qëllimin e “autoriteteve britanike dhe amerikane për të ofruar një vlerësim realist të situatës politike dhe ushtarake në Shqipëri”. Ai shkoi në Stamboll ku mbeti deri në 1947.

Në 1947 Stavro Skëndi mbërriti në Shtetet e Bashkuara. Atje fitoi një bursë ku iu dha mundësia edhe për të filluar studimet e doktoratës në Universitetin e Kolumbias, duke i përfunduar më 1951. Në këtë periudhë, për një kohë të shkurtër u bë aktiv në emigracion duke iu bashkuar lëvizjes antikomuniste shqiptare në ShBA. Por, njoftohemi se shumë shpejt e distancoi veten nga kjo lëvizje, për të ruajtur integritetin e tij shkencor, pa e vënë në rrezik atë. Në ato vite, ndërsa ishte duke përfunduar hartimin e tezës, u ftua për të punuar si një hulumtues në Qendrën e Studimeve Evropiane në Nju-Jork. Kjo organizatë, e financuar nga qeveria amerikane, kishte për qëllim studimin shkencor dhe analizën e situatës politike dhe sociale në vendet komuniste të Evropës Lindore. Marrëdhëniet më qendrën i ruajti deri më 1955. Ndërkohë, publikoi dhe u njoh si autor i librit “Shqipëria”, botuar në 1956, duke hyrë në serinë e botimeve “Evropa Qendrore dhe Lindore nën komunizëm”. Në mes të viteve ’50-të, kjo u konsideruar si një çështje me mjaft interes, duke shërbyer si pikë referimi për fillimin e studimeve mbi Shqipërinë. Puna e tij në projektin e kësaj qendre i dha reputacion, duke u konsideruar si ekspert kryesor i ShBA-së në gjuhën shqipe.

Karriera akademike filloi me emërimin e tij si ligjërues i jashtëm për gjuhët e Ballkanit në Universitetin e Kolumbias, më 1954. Me titullin e profesorit dha leksione të vazhdueshme deri në 1972, kur mori titullin Profesor Emeritus. Gjatë qëndrimit të tij në Kolumbia, Skëndi bashkëpunon me Institutin Qendror të Evropës Lindore.

Pavarësisht se ligjërues i ndërgjegjshëm dhe plot pasion, para se gjithash Skëndi është i njohur për kontributet e tij shkencore nga lëmi i Albanologjisë. Përveç punës mbi Shqipërinë, në mesin e librat e tij u përfshinë “Poezia gojore epike shqiptare dhe ajo e sllavëve të jugut”, botuar për herë të parë më 1954 dhe sërish më 1969. Kjo konsiderohet një vepër, që pa dyshim, përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve shqiptare, veçanërisht në fushën e folklorit krahasues.

Kryevepra e Skëndis është trajtuar monografia e tij monumentale, e përgatitur me zell të madh, “Ringjallja kombëtare shqiptarë në vitet 1878-1912”, botuar nga Princeton University Press më 1967 . Ky libër është një nga kontributet më të rëndësishme për historiografinë shqiptare në gjuhën angleze. Në vitin 1980, një koleksion prej 15 artikuj të shkruar nga profesor Skëndi, u botua nën titullin “Studimet kulturore të Ballkanit”, vepër që tani e kemi edhe në shqip. Artikujt pasqyrojnë kërkimet gjuhësore, folklorike dhe historike. Libra dhe artikuj në gazetat shkencore janë vlerësuar për faktin se gjithmonë kanë në bazë punën kërkimore, të strukturuar dhe të përpunuar mjaft mirë. Si duket në punën e tij, favorizohej në një masë të madhe nga njohuritë në gjuhët e huaja ku përveç shqipes, anglishtes, frëngjishtes, gjermanishtes dhe italishtes, kishte studiuar dhe mësuar gjuhët sllave, greke dhe turke.

Kontributi i Stavro Skëndis përmblidhet në një fakt; se vepra e tij përgatit terrenin për të filluar studimet albanologjike mbi themele solide. Në vitet ’80-të, ndërsa shëndeti i tij ishte lënë, Skëndi filloi të reduktojë praninë e tij në publik, por nuk pushoi për të pasuruar njohuritë e tyre nëpërmjet leximit dhe reflektimit.

Më 17 gusht 1989, nga vuajtjet e sëmundjes së Parkinsonit, vdiq në Southampton. Funerali i tij u mbajt në Nju-Jork.

 

 

Exit mobile version