Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së tij. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë hapjes së edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024, një ngjarje e rëndësishme për avancimin teknologjik në Kosovë.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës është duke planifikuar ndërtimin e Qendrave të Integruara të Shërbimit për të gjithë qytetarët, veçanërisht për ata që nuk kanë mundësi t’i kryejnë vetë shërbimet digjitale.
“Ky event është bërë i rëndësishëm në rrugëtimin digjital të Kosovës. Jemi të lumtur që nga ky edicion KosICT do të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë. Si ballafaqohemi me sfida dhe mundësitë, do të ketë rëndësi të madhe,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se transformimi digjital është një nga çështjet kyçe në agjendën qeveritare.
“Kjo është e ardhmja që duam ta ndërtojmë. Ku njerëzit s’kanë nevojë të rrinë në radhë të gjata por i marrin shërbimet që u nevojiten vetëm me një klik,” tha kryeministri, duke vënë theksin në rëndësinë e thjeshtësisë dhe efikasitetit që sjell digjitalizimi.
Kurti gjithashtu përmendi se gjithëpërfshirëja është një komponent thelbësor i këtij procesi, duke siguruar se të gjithë qytetarët do të kenë qasje në shërbime.
“Për ata që nuk mund t’i përdorin shërbimet digjitale, do të mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat e Integruara të Shërbimit. Qendrat e para do të jenë në Prishtinë dhe jemi të entuziazmuar për funksionimin e tyre,” shtoi ai.
Siguria kibernetike ishte gjithashtu një temë e përmendur nga kryeministri, i cili njoftoi themelimin e qendrës së sigurisë kibernetike dhe plane për hapjen e vendeve të punës për agjencinë përkatëse në të ardhmen e afërt. /Telegrafi/