Mbrëmë pas mesnate një pjesë e Gjykatës Themelore të Pejës është përfshirë nga zjarri. Dëmet mendohet se janë të konsiderueshme si në materiale, letra, arkiv ashtu edhe në teknikë.
Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës në Pejë si dhe zëdhënësja e Gjykatës.
Zëdhënësi i policisë, Xhevat Ibraj ka thënë se me të marrë informatën policia dhe të gjitha njësitet tjera relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Ai ka shtuar se reagimi i zjarrfikësve ka qenë i shpejt dhe zjarri është fikur.
Ndërkaq zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti ka thënë se ende nuk i dinë shkaqet sesi ka ardhur deri tek zjarri.
“Shkaqet ende nuk i dimë jemi në pritje të ekspertëve që të vijnë dhe ta ekzaminojnë vendin e ngjarjes”, ka thënë Zhuti.
Ajo ka shtuar se dëmet janë shkaktuar kryesisht në teknikë.
“Dëmet nga zjarri janë shkaktuar kryesisht në teknikë, ndërkaq nuk e dimë ende gjendjen e lëndëve dhe regjistrave pasi që nuk na është lejuar hyrja në gjykatë. Zjarri ka përfshirë kryesisht zyrën për menaxhimin e lëndëve civile”, u shpreh Zhuti. /Telegrafi/