Site icon Telegrafi

Digjet jahti i Zvonko Veselinoviqit në Mal të Zi

Një jaht me emrin “Sara”, i cili u dëmtua nga një zjarr mbrëmë në portin e Navaras në Mal të Zi, dikur ishte i Svetozar Maroviqit, ish-president i Serbisë dhe Malit të Zi.

Por siç merr vesh mediumi serb Nova, jahtin e përmendur, nga Maroviq e ka blerë Zvonko Veselinoviq dhe i ka ndryshuar emrin, përcjell Telegrafi.

Jahti i Maroviqit u quajt “Kenzo” dhe për të kishte disa mosmarrëveshje.

Sipas mediumit serb, përcjell Telegrafi, padia mes kompanisë austriake “Heta Leasing” dhe Svetozar e Milosh Maroviq në vitin 2015 kishte të bënte me arkëtimin e 9.980.076 eurove, sepse Maroviqët garantonin se do të shlyhej kredia e dhënë nga “Hypo Leasing” e atëhershme për kompaninë offshore “Galaxy”.

Dhe me ato para u ndërtua jahti “Kenco”, shkruan tutje mediumi në fjalë.

Lexo po ashtu SHBA u vendosi sanksione për krim të organizuar në veri të Kosovës - por kush janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq

Media serbe vë në pah faktin se pagesa e këstit u pezullua shpejt dhe më pas jahti u zhduk nga marina e Budvës.

Ai është rikthyer së fundmi, me emrin “Sara”, tashmë në pronësi të biznesmenit kontrovers Zvonko Veselinoviq.

Ndryshe, bëhet fjalë për njeriun të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosën sanksione bashkë me dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Siç ishte thënë, në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version