Në orët e para të së enjtes është djegur bredhi i Vitit të Ri, që ishte vendosur në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi në një postim në Facebook ka thënë se djegia e pishës ka qenë e qëllimshme.
“Në orët e hershme të ditës së sotme, në mes të qytetit, persona vandalë shkaktuan djegien e qëllimshme të pishës së improvizuar për Festat e Fundvitit, e financuar nga kompania Sharrcem”, ka shkruar Ballazhi.
Ai thotë se ky është viti i tretë që qyteti dekorohet për Festat e Fundvitit, e që ka dashur të përcjell mesazhin se të gjithë kanë të drejtë të festojnë, pavarësisht bindjeve fetare, por edhe atyre politike.
“Ne kemi qenë dëshmitarë që viteve të kaluara, familjet detyroheshin që t’i dërgonin fëmijët e tyre në qytete tjera për të parë ndriçimin dhe bredhin si simbol të festave të fundvitit, dhe për tre vitet e fundit në Han të Elezit sado pak kemi gëzuar ata fëmijë që mundësitë i kishin të pakta për të vizituar qytete të tjera”.
Tutje ai thotë se feja dhe besimi duhet të jenë strehë ku bëhet thirrje për solidaritet, paqe, harmoni dhe dashuri mes njerëzve, duke respektuar të drejtën e gjithsecilit për të festuar.
“Ky akt nuk do të më ndalë as mua dhe as ekipin tim, që përveç punëve dhe obligimeve në pozitat tona, ne të vazhdojmë të sjellim frymë solidariteti, paqeje, harmonie dhe dashurie, dhe të largojmë nxitjen e urrejtes, përçarjen dhe vandalizmin”.
Ai thotë se kjo gjë do të jetë e vështirë, por jo e pamundur.
“Rasti është inicuar në Policinë e Kosovës dhe organet kompetente po punojnë që zbardhjen e këtij akti të shkatërrimit të pronës publike, nxitjes së urrejtjes fetare, përçarjen në masë dhe imazhit të keq të qytetit tonë”, ka deklaruar tutje Ballazhi./Telegrafi/