Site icon Telegrafi

Diedoni flet për Albën dhe njohjet e reja pas ndarjes

Një foto e Diedon Musës dhe Alba Çobajt duke biseduar në hollin e Pallatit të Kongreseve hapi diskutimin në rrjetet sociale nëse ata mund të ishin kthyer sërish bashkë, pas bisedave sqaruese vetëm për vetëm.

Ritakimi në Tiranë një muaj pas ndarjes, u komentua edhe si një grindje mes tyre.

Por, se çfarë ndodhi në të vërtetë natën e “Miss Universe Albania”, ku dy ish-të dashurit u takuan, Diedoni ka rrëfeyr për Panoramën.

“Nuk më kujtohet saktësisht për çfarë folëm, por ishte një bisedë më shumë me batuta. Në fakt, ishte një komunikim i mirë, edhe pse në foto u dukëm si të tensionuar. As nuk e kam idenë se si përfunduam vetëm për vetëm, sepse si fillim ishim grup. Për një moment s’e kuptova si u larguan të gjithë një nga një. I fundit që u largua ishte Vigani, i cili shkrepi dhe foton”, ka thënë Diedoni, duke sqaruar se nuk kishte ndjerë ndonjë gjë kur u ripanë pasi sipas tij tashmë zjarri mes tyre është shuar.

“Sa për dashurinë, dashuria është si një tigan me ujë që vlon në zjarr. E nëse ia zvogëlon nxehtësinë zjarrit, ose në qoftë se e heq zjarrin, ajo ndalon së vluari. Kështu që aty zjarr nuk kishte, pra zjarr nuk ka më mes nesh”.

Mes tjerash ish banori i Big Brother ka folur edhe për njohjet e reja, pas ndarjes nga Alba duke thënë se ka vendosur që për një kohë të qëndroj vetëm.

“Njoh shumë njerëz të rinj çdo ditë, por ende s’kam takuar dikë për të krijuar lidhje, sepse dua të rri vetëm ca kohë. Normal këtyre gjërave nuk u dihet, dhe unë nuk bëj llogari të tilla. Besoj se e rëndësishme është që ajo të cilën do të kem në krah, të dijë të vlerësojë të mirën e vogël më shumë sesa të keqen e madhe”, ka përfunduar bisedën i riu mitrovicas.

Ndryshe Alba dhe Diedoni lidhjen e tyre të shumëpërfolur e filluan gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, dhe e përfunduan atë pas disa muajsh nga përfundimi i spektaklit. /Telegrafi/

Exit mobile version