Ylli hollivudian, Leonardo DiCaprio, është paraqitur para një gjykate në Washington në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur. Ai ka dëshmuar kundër Jho Low, njeriu që në të kaluarën ka qenë financuesi i tij.
Sipas Washington Post, aktori është paraqitur si dëshmitar kundër të paditurit Low që akuzohet për shpërdorimin e disa miliarda dollarëve nga fondi investues shtetëror i Malajzisë.
Jho Low, i cili njihet si një admirues i personaliteteve të njohura, i ka ndihmuar DiCaprios në grumbullimin e fondeve për filmin “The Wolf of Wall Street” (2013), sërish përmes aseteve të vjedhura.
Page Six bën të ditur se 37-vjeçari, i cili besohet se po fshihet në Kinë, i kishte dhuruar manekines Miranda Kerr diamante në vlerë prej 8.1 milionë dollarë (7.1 milionë euro) gjatë lidhjes së tyre njëvjeçare.
Akoma nuk dihen fjalët që i ka thënë aktori në seancën dëgjimore, ndërsa një zëdhënës i tij ka theksuar se ai po bashkëpunon dhe i mbështet të gjitha përpjekjet për vënie të drejtësisë.
Nga ana tjetër, fotoreporterët nuk kanë arritur ta shohin DiCaprion as gjatë arritjes e as gjatë largimit nga gjykata.
Jho Low është një i arratisur që kërkohet nga autoritetet e Malajzisë lidhur me skandalin politik të shpërdorimit të fondeve, të njohur si “1MDB”.
Ai është përfitues i fondeve të shumta nga “1Malaysia Development Berhad” (1MDB) – një kompani strategjike zhvillimore në Malajzi, në pronësi të Ministrisë së Financave.
Emri i tij është lidhur me transaksione të shumta të dyshimta me vlerë të lartë, duke përfshirë përvetësimet e bizneseve, pasurive të patundshme luksoze dhe artit, si dhe transaksioneve filantropike. /Telegrafi/