Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur të premten përfaqësues të diasporës, të cilët me mbështetjen e organizatës Germin po qëndrojnë në Prishtinë.
Gjatë adresimit në seancë solemne para përfaqësuesve të diasporës, Veseli tha se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.
“Kjo është një seancë e veçantë, me të cilën po vendosim një praktikë shumë të dobishme për institucionet e vendit, për qytetarët tanë, e në veçanti për bashkatdhetarët tanë në diasporë. Diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës. Që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit tonë kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është. Sot, ajo është shtyllë e ekonomisë dhe shtetit të Kosovës, prandaj shteti i Kosovës ka obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata jetojnë e punojnë nëpër botë”, tha Veseli.
Ai tha se Kosova ka një diasporë që rrallë ndonjë popull në botë e ka dhe se lidhjet e saj me vendlindjen janë të fuqishme.
“…Sot rrethanat kanë ndryshuar. Nevojat janë të tjera: tjera sfida kemi përpara dhe kjo nënkupton edhe qasje të reja. Ka ardhur koha që ne të lëvizim përtej të kuptuarit të diasporës thjesht si fuqi e remitencave për familjet tona dhe si kategori e mallit për vendlindjen. Sot, njerëzit tanë në diasporë janë të integruar në trendët më të avancuara të zhvillimit dhe të dijes. Ata janë investitorë dhe menaxherë kompanish të mëdha. Janë drejtorë bankash, e sipërmarrës të suksesshëm. Janë intelektualë, ekspertë e përfaqësues institucionesh shtetërore. Zëri i tyre dëgjohet gjithandej botës, e lista e sukseseve të tyre është e gjatë. Kjo na bënë krenarë. Diaspora jonë përbën një potencial të madh, nga i cili mund dhe duhet të përfitojë Kosova. Kjo mund të arrihet duke ndërtuar komunikim praktik institucional me njerëzit tanë në diasporë, me idetë e tyre dhe me potencialin e tyre investiv. Ministria e Diasporës, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është duke bërë një punë të mirë, por gjithsesi të pamjaftueshme. Është urgjente që potenciali investiv i diasporës të vendoset si prioritet i lartë në strategjitë zhvillimore të Kosovës”, tha Veseli.
“…Njëkohësisht, në secilin institucion të vendit, duhet ta vendosim parimin e dyerve të hapura për projektet dhe idetë që vijnë nga njerëzit tanë në diasporë. Në radhë të parë, kjo nënkupton politikën – Zero barriera burokratike për diasporën. Qëllimi ynë final si shtet – është integrimi në strukturat ekonomike, politike dhe ushtarake të botës perëndimore, dhe është përparësi fakti se njerëzit tanë në diasporë jetojnë, veprojnë e krijojnë pikërisht në kushtet e kësaj bote. Janë pjesë integrale e zhvillimit të saj. Sot kemi një rast të shkëlqyeshëm që në Kuvendin e Kosovës të dëgjojmë një pjesë të ideve të tyre”, tha ai. /Telegrafi/